Australia u zotua të hënën për ligje më të rrepta për armët, teksa nisi të mbajë zi për viktimat e masakrës më të rëndë me armë në gati 30 vjet, ku policia babë e bir për vrasjen e 15 personave gjatë një feste hebraike në plazhin e famshëm “Bondi” të Sydneyt, përcjell KFVA.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje nëse ligjet australiane për armët, ndër më të rreptat në botë, kanë nevojë për rishikim, pasi policia tha se i dyshuari më i vjetër kishte mbajtur një licencë për armë zjarri që nga viti 2015, si dhe kishte gjashtë armë të regjistruara.
Kryeministri Anthony Albanese tha se kabineti i tij ka rënë dakord të forcojë ligjet për armët dhe të punojë për një regjistër kombëtar të armëve të zjarrit, për të trajtuar çështje si numri i armëve të lejuara nga licencat dhe afati i vlefshmërisë së tyre.
“Rrethanat e njerëzve mund të ndryshojnë,” u tha ai gazetarëve para mbledhjes së kabinetit.
“Njerëzit mund të radikalizohen me kalimin e kohës. Licencat nuk duhet të jenë të përhershme”, shtoi ai kryeministri australian.
Nga dy sulmuesit, babai 50-vjeçar u vra në vendngjarje, duke e çuar numrin e të vdekurve në 16, ndërsa djali i tij 24-vjeçar ndodhet në gjendje kritike në spital, njoftoi policia në një konferencë për shtyp.
Viktimat ishin të moshave nga 10 deri në 87 vjeç.
“Po punojmë intensivisht për të kuptuar të kaluarën e të dy personave. Në këtë fazë, dimë shumë pak për ta”, u tha gazetarëve Komisioneri i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Mal Lanyon.






