Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, ka deklaruar se autoritetet australiane kanë nisur një hetim të gjerë dhe kompleks pas një sulmi të rëndë që kishte në shënjestër komunitetin hebre të Sidneit, në ditën e parë të festës së Hanukës, përcjell KFVA.
Minns theksoi se hetimi është vetëm në fazat fillestare dhe pritet të jetë i gjatë, për shkak të natyrës së ndërlikuar të rastit. Sipas tij, sulmi ishte i planifikuar dhe i qëllimshëm, me synim goditjen e komunitetit hebre në një ditë me rëndësi të veçantë fetare.
“Hetimi sapo ka filluar dhe do të jetë masiv dhe kompleks,” u shpreh kryeministri, duke shtuar se autoritetet e sigurisë janë duke punuar intensivisht për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë para drejtësisë personat përgjegjës.
Ai dënoi ashpër aktin, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe në kundërshtim me vlerat e shoqërisë australiane, ndërsa garantoi se qeveria do të ofrojë mbështetje të plotë për komunitetin e prekur.
Policia dhe shërbimet emergjente mbeten në gatishmëri të lartë, ndërkohë që autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë hetimin.






