Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar pesë persona të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në Hajvali, shkruan KFVA.
Në njoftim bëhet e ditur se janë konfiskuar edhe armë të cilat janë përdorur në këtë rast.
“Personat e dyshuar, pas intervistimit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve””, thuhet në njoftim.
Njoftimi:
Arrestohen pesë persona të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri
Prishtinë, 14 dhjetor 2025 – Policia e Kosovës sot ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në Rrugën e Gjilanit, në Prishtinë, dhe menjëherë ka reaguar duke angazhuar njësitet përkatëse policore.
Zyrtarë policorë nga Stacioni Jugu dhe nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale kanë arrestuar katër persona të dyshuar dhe kanë sekuestruar armët e përdorura në këtë rast.
Pas veprimeve të mëtejme hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë edhe personin e pestë të dyshuar, nga i cili është sekuestruar një armë zjarri.
Personat e dyshuar, pas intervistimit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.






