Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nënvizoi më 11 dhjetor se çdo zgjidhje territoriale për të përfunduar luftën me Rusinë duhet të vendoset nga populli ukrainas.
Ai tha se qytetarët duhet të vendosin nëpërmjet zgjedhjeve ose referendumit. “Rusët duan të gjithë Donbasin, ne nuk e pranojmë këtë”, deklaroi Zelensky. Komentet e tij vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara shtojnë presionin për një plan paqeje të mundshëm.
Moska ka kërkuar tërheqjen e forcave ukrainase nga rajoni lindor i Donbasit, duke përfshirë pjesë të Donetskut dhe Luhanskut. Oblasti i Luhanskut është pothuajse plotësisht nën kontroll rus, ndërsa ukrainasit mbajnë rreth 6,600 km² në Donetsk, përfshirë qytetet kyçe Sloviansk dhe Kramatorsk.
Zelensky tha se SHBA-ja ka propozuar një “vizion kompromisi”, ku trupat ukrainase të largohen, por forcat ruse të mos hyjnë në Donetsk, raporton The Kiyv Independent.
Ai përmendi gjithashtu diskutimet mbi krijimin e një “zone ekonomike të lirë” ose një “zone demilitarizuese.” Debati mbi territorin mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në bisedime.
Zelensky shtoi se është ende herët për të ditur se si do të duket dokumenti final dhe refuzon çdo kusht, që do të detyronte marrëveshje mbi sovranitetin.






