Në pikëkalimin kufitar të Hanit të Elezit, doganierët kanë ndalur një automjet për kontroll të detajuar pasi drejtuesi nuk kishte deklaruar mallra.
Gjatë kontrollit janë gjetur 295,270 euro të padeklaruara, të fshehura brenda veturës.
“Gjatë kontrolleve të rregullta në pikëkalimin kufitar në Han të Elezit, zyrtarët doganorë kanë ndalur një automjet për verifikim të detajuar në vijë të dytë, pasi drejtuesi kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për deklarim. Gjatë kontrollit të automjetit, janë zbuluar dhe sekuestruar një shumë prej 295,270 euro, e cila ishte e padeklaruar dhe e fshehur brenda veturës”, thuhet në njoftim.
Shuma është sekuestruar sipas procedurave ligjore dhe rasti është dërguar për hetim.
Dogana ka intensifikuar kontrollet për të parandaluar kontrabandën dhe aktivitetet e paligjshme.
“Shuma e parave është konfiskuar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa rasti është referuar për hetime të mëtejshme. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrollit kufitar dhe parandalimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, me qëllim të mbrojtjes së sigurisë dhe interesave të vendit”, deklaron Dogana.






