Qeveria bullgare jep dorëheqje pas protestave kundër korrupsionit

 

 

Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, ka dhënë dorëheqje më 11 dhjetor pas javësh protesta kundër korrupsionit.

Mijëra persona kanë protestuar në Bullgari kundër planeve buxhetore të Qeverisë, duke e detyruar më pas ekzekutivin që të heqë dorë nga to. Më pas, protestuesit kërkuan kërkuar dorëheqjen e kabinetit qeverisës.

Zhelyazkov njoftoi për dorëheqjen e tij përmes një deklarate të transmetuar nga televizionet, disa minuta para se Parlamenti ishte paraparë që të votonte për një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit.

Dorëheqja e Qeverisë vjen pak para se Bullgaria t’i bashkohet eurozonës më 1 janar 2026.

“Koalicioni ynë u takua, ne diskutuam për situatën aktuale, për sfidat me të cilat përballemi dhe vendimet që duhet t’i marrim me përgjegjësi”, tha Zhelyazkov, gjatë njoftimit për dorëheqje.

“Dëshira jonë është që të jemi në nivelin që pret shoqëria. Pushteti buron nga zëri i qytetarëve”, theksoi ai.

Pavarësisht se Qeveria tërhoqi vendimin për buxhetin, protestat në Sofja dhe dhjetëra qytete bullgare vazhduan, me qytetarët që kanë kundërshtuar korrupsionin dhe dështimin e qeverive të njëpasnjëshme të vendit për ta luftuar atë.

Partitë opozitare dhe organizatat e tjera kanë deklaruar se po protestonin kundër planeve për rritjen e kontributeve për sigurime sociale dhe taksave mbi dividendën për të financuar shpenzime më të larta shtetërore.

Në katër vjetët e fundit, Bullgaria ka mbajtur shtatë palë zgjedhje parlamentare – të fundit u mbajtën në tetor të vitit 2024 – teksa vendi përballet me ndarje të mëdha politike dhe shoqërore.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë që të japë dorëheqje më herët gjatë kësaj jave. Në një mesazh drejtuar ligjvënësve, përmes një postimi në Facebook të enjten, Radev tha se “midis zërit të popullit dhe frikës nga mafia, dëgjoni sheshet publik”.

Radev, i cili ka kompetenca të kufizuara sipas Kushtetutës bullgare, tani do t’u kërkojë partive në Parlament që të përpiqen të formojnë një Qeveri të re dhe nëse nuk arrijnë të bëjnë këtë, ai do të krijojë një Qeveri kalimtare për të drejtuar vendin deri sa të mbahen zgjedhje të reja.

  • Shkrime të ngjashme

    Bibiliotekisti merrte pagë pa shkuar në punë, arrestohet edhe Drejtori i shkollës – dyshohet se dëmtuan buxhetin mbi 19 mijë euro

    Policia e Kosovës ka arrestuar Drejtorin e një shkollë në Gjilan, si dhe një zyrtar në po të njëjtën shkollë. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitave dhe se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 19 mijë euro, shkruan…

    Fillon zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë, çka parashihet në fazën e parë

    Nga mesanata, kanë filluar së zbatuari Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet. Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka sqaruar se në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me material informues…