Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte gjatë fjalimit të tij në Berlin ka bërë një paralajmërim të fortë, ku sipas tij, ata janë shënjestra e radhës e Rusisë, përcjell KFVA,
“Jam këtu sot t’ju tregoj se ku qëndron NATO dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndalur një luftë para se të nisë. Dhe për ta bërë këtë, duhet të jemi plotësisht të qartë për kërcënimin: ne jemi shënjestra e radhës së Rusisë dhe jemi tashmë të ekspozuar ndaj rrezikut”.
“Kam frikë se shumë njerëz janë tepër të qetë dhe të vetëkënaqur. Shumë nuk e ndiejnë urgjencën. Dhe shumë besojnë se koha është në anën tonë. Nuk është. Koha për veprim është tani. Shpenzimet dhe prodhimi i mbrojtjes së aleatëve duhet të rriten shpejt. Forcat tona të armatosura duhet të kenë gjithçka u nevojitet për të na mbajtur të sigurt.”
Rutte thotë se Rusia “është bërë edhe më e guximshme, më e pakujdesshme dhe më e pamëshirshme ndaj NATO-s dhe ndaj Ukrainës”.
Ai paralajmëron se “në këndvështrimin e tij të shtrembëruar të historisë dhe botës, Putini beson se liria jonë kërcënon kapjen e tij të pushtetit dhe se ne duam të shkatërrojmë Rusinë”.
Shefi i NATO-s theksoi se Kina është “vija e shpëtimit” e Rusisë, që i mundëson të ndjekë linjën e saj agresive, dhe se ajo mbështetet gjithashtu nga Koreja e Veriut dhe Irani.
Rutte vlerëson posaçërisht Trump-in për përpjekjet e tij, duke thënë se “ai është i vetmi që mund ta ulë Putinin në tryezën e negociatave”.
“Kështu që le ta vëmë Putinin në provë. Të shohim nëse me të vërtetë do paqe apo preferon që masakra të vazhdojë,” thotë ai.






