Mbi pesë milionë euro janë konfiskuar në kuadër të një operacioni policor gjerman kundër një qelize të grupit të ashtuquajtur “Karteli Ballkanik”, ka bërë të ditur Agjencia Evropiane e Policisë (EUROPOL) më 10 dhjetor.
Shuma e parave besohet se është përfituar në kuadër të trafikimit të drogës nga Kolumbia.
Në operacion janë përfshirë zyrtarë policorë nga Austria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Serbia, bashkë me rreth 500 zyrtarë policorë gjermanë, të cilët kanë kryer bastisje kundër individëve të dyshuar për trafikim transnacional të drogës dhe krim të organizuar.
EUROPOL-i ka thënë se autoritetet e vendeve që janë përfshirë në operacion kanë kryer hetime dhe i kanë bllokuar llogaritë bankare dhe astetet tjera në shtetet e lidhura me të dyshuarit, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.
“Shtetasit serbë B.B (1963), B.I (1976), M.B (1999), M.N (1997), S.S (1987), R.M (2004), D.P (1993) dhe N.T (1992) janë arrestuar në territorin e Spanjës. Ata dyshohet se janë anëtarë të grupit kriminal, përmes ofrimit të logjistikës dhe pajisjeve për pranimin e drogës së transportuar nga Kolumbia, e cila ka arritur me anije në Spanjë, dhe më pas është ruajtur dhe shpërndarë në koordinim me shumë grupe tjera kriminale spanjolle”, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme e Serbisë.
