Inteligjenca gjermane hetoi dronët misterioz, gjurmët i dërguan te tre anije

 

 

Dymijë dronë të paidentifikuar janë regjistruar mbi Gjermani që nga fillimi i vitit, sipas raporteve të sigurisë të cilat kanë pasur mundësinë të shihnin Die Welt, Bild dhe Axel Springer Academy.

Në një hetim të përbashkët, këto media kanë identifikuar një model që lidh një numër të madh dronësh me lëvizjen e tre anijeve të lidhura me Rusinë, të cilat veprojnë në Detin Baltik dhe Detin e Veriut.

Autoritetet gjermane kanë dokumentuar 1072 incidente ku kanë qenë të përfshirë 1955 dronë të panjohur.

Ata zakonisht fluturonin mbi baza ushtarake të Bundeswehrit, zona stërvitore të NATO-s dhe objekte të infrastrukturës kritike.

Analiza e të dhënave të trafikut detar ka treguar se vetëm një numër i vogël anijesh ndodhej pranë fluturimeve të regjistruara dhe kjo në të njëjtat orë kur incidentet janë raportuar.

Shembull janë shtatë dronë të vërejtur më 16 maj pranë anijes mallrash Lauga, e cila lundron nën flamurin rus dhe me ekuipazh të përbërë plotësisht nga shtetas rusë.

Kur anija më pas hyri në Belgjikë, autoritetet e kontrolluan, por nuk gjetën asgjë. Para se të hynte në ujërat gjermane, Lauga kishte ndaluar në portin sirian të Tartus, ku ndodhet baza ushtarake ruse, dhe më pas në Shën Petersburg, në një terminal të lidhur me korporatën shtetërore bërthamore Rosatom.

Sipas hetimit, Rosatom zotëron dronë me distancë deri në 200 kilometra, të pajisur me kamera video dhe termike. Zyrtarisht, ato përdoren për mbikëqyrjen e operacioneve në Arktik.

Dy anijet e tjera të përmendura në raport – HAV Snapper dhe HAV Dolphin – formalisht janë në pronësi të një kompanie norvegjeze, por të dyja janë servisuar disa herë në Kaliningradin rus, dhe ekuipazhi i anijes HAV Dolphin përbëhet vetëm nga shtetas rusë.

Grupime të mëdha dronësh janë regjistruar mbi Gjirin e Kielit në jugperëndim të Baltikut, pikërisht në kohën kur anijet e përmendura lëviznin në atë zonë.

Agjencitë e sigurisë, të cilave u referohen mediat, shprehin se është e pakët të besohet se dronët drejtoheshin nga individë privatë “sisa rrethana tregojnë për një operacion të sofistikuar që kërkon burime të konsiderueshme financiare dhe logjistike”.

Në shumicën e rasteve, operatorët e dronëve nuk janë identifikuar. Zyrtarë të inteligjencës evropiane kanë konfirmuar për gazetarët se ata mendojnë se HAV Snapper dhe HAV Dolphin “shumë gjasa veprojnë në interes të Rusisë”.

Ministria gjermane e Brendshme ka deklaruar se ekziston “arsye për të besuar se aktorë të huaj shtetërorë kanë qenë të përfshirë në disa nga fluturimet e dronëve”.

Dronë të paidentifikuar janë vërejtur më shumë se një herë edhe mbi objekte ushtarake dhe infrastrukturë kritike në vende të tjera evropiane, përfshirë Danimarkën, Norvegjinë, Belgjikën dhe Holandën.

  • Shkrime të ngjashme

    Bibiliotekisti merrte pagë pa shkuar në punë, arrestohet edhe Drejtori i shkollës – dyshohet se dëmtuan buxhetin mbi 19 mijë euro

    Policia e Kosovës ka arrestuar Drejtorin e një shkollë në Gjilan, si dhe një zyrtar në po të njëjtën shkollë. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitave dhe se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 19 mijë euro, shkruan…

    Fillon zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë, çka parashihet në fazën e parë

    Nga mesanata, kanë filluar së zbatuari Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet. Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka sqaruar se në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me material informues…