Amerikania Washington Post ka zbuluar pika të reja të planit për paqen që po negociohet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Evropës dhe Ukrainës për dhënien fund të luftës disavjeçare të ndërmarrë nga Rusia.
Paketa negociuese, sipas njërit prej burimeve, përfshin tre dokumente: planin e paqes, garancitë e sigurisë dhe një plan të rimëkëmbjes ekonomike. Bisedimet janë larg përfundimit, me Ukrainën dhe mbështetësit e saj evropianë që planifikojnë të publikojnë një sërë të përbashkët amendamentesh. Njëra prej tyre është që Ukraina të bashkohet me Bashkimin Evropian që në vitin 2027. Ky pranim i shpejtë shqetëson disa fuqi të BE-së. Por administrata Trump beson se mund ta kapërcejë kundërshtimin e Hungarisë, kundërshtarit kryesor të Kievit në BE.
Ndër pika të tjera, Shtetet e Bashkuara do të ofronin garanci sigurie “të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s” për të mbrojtur Ukrainën nëse Rusia shkel paktin. Ukraina dëshiron që Shtetet e Bashkuara të nënshkruajnë një marrëveshje të tillë dhe Kongresi ta ratifikojë atë; kombet evropiane do të nënshkruanin garanci të veçanta. Parashikohet krijimi i zonës së demilitarizuar përgjatë gjithë vijës së armëpushimit, nga provinca e Donetskut në verilindje deri në qytetet e Zaporizhias dhe Khersonit në jug. Kjo është e ngjashme me atë mes dy Koreve, të Veriut dhe të Jugut. Lëshimi i territoreve duket i pashmangshëm në arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Këtë të mërkurë, presidenti francez Makron njoftoi se së bashku me kryeministrin britanik Starmer dhe kancelarin gjerman Merz zhvilluan një bisedë telefonike 40-minutëshe me presidentin amerikan Trump në përpjekje për të pasur progres për planin e paqes në Ukrainë. Të katër udhëheqësit ranë dakord se ky është një moment vendimtar për Ukrainën dhe për sigurinë e përbashkët në zonën euroatlantike. Vetë Zelenski bëri të ditur se po punohet për një plan prej 20 pikash që do t’i dërgohet së shpejti SHBA-së.
Ai theksoi se është i gatshëm të mbajë zgjedhjet parlamentare në Ukrainë, pas thirrjes ultimative që Trump i lëshoi disa ditë më parë.
“Zgjedhjet janë çështje e popullit të Ukrainës, jo e popujve të vendeve të tjerë, megjithë respektin për partnerët tanë. Çështja është si të votojmë mes sulmeve me raketa? Personalisht jam gati, nëse SHBA dhe kolegët evropianë garantojnë sigurinë për zgjedhjet. Nëse e bëjnë këtë, Ukraina do të jetë gati për 60–90 ditë të organizojë zgjedhjet.”
Zëdhënësi Dimitri Peskov tha se ky qëndrim i Zelenskit për zgjedhjet ishte diçka e re dhe duhej shqyrtuar mënyra e organizimit të zgjedhjeve. Megjithatë, Moska është kundër çdo skenari që përfshin futjen e ushtrive të huaja në territorin ukrainas.






