Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur këtë të mërkurë mbledhjen e 95-të për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku është vendosur për certifikimin e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme.
Në pjesën e parë të mbledhjes, KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e kandidatëve të 23 subjekteve politike, nga të cilat 17 janë parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar nga këto subjekte është 1,146.
Lista me 33 kandidatë për deputetë e partisë politike Lista Serbe nuk mori votat e nevojshme për certifikim dhe rrjedhimisht nuk u certifikua.
Po ashtu, në këtë mbledhje, KQZ certifikoi vetëm 42 nga 43 kandidatët e subjektit politik KOALICIJA VAKAT nga komuniteti boshnjak. Sipas KQZ-së, një nga kandidatet nuk u certifikua për shkak të situatës së padefinuar plotësisht dhe pretendimeve se ajo i përket etnisë shqiptare.
KQZ ka bërë të ditur se ndaj vendimeve për moscertifikim, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.







