Tashmë për herën e tretë brenda pak muajve është regjistruar një tjetër rrëzim i avionit ushtarak të Rusisë në Sudan, atje ku po vazhdojnë luftimet e ashpra mes grupeve rebele dhe forcave qeveritare, përcjell Gazeta KFVA.
Një avion Il-76 rus, mjet ushtarak transportues, u rrëzua të martën teksa po tentonte të ateronte në bazën ajrore Osman Digna, afër Portit Sudan.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, rrëzimi u konfirmua nga dy burime ushtarake, duke thënë se kjo ngjarje kishte të bënte me probleme teknike të funksionimit të fluturakes.
Të gjithë anëtarët e ekuipazhit vdiqën, edhe pse forcat e armatosura qeveritare të Sudanit nuk zbuluan numrin e saktë të viktimave.
Edhe më herët ka pasur raportime për rrëzime të avionëve rusë në Sudan, atje ku palët ndërluftuese kanë edhe armatim anti-ajror, ndër të tjera. Sigurisht, pala ruse nuk i ka konfirmuar këto incidente.






