Gjykata Speciale ka vendosur lirimin me kusht të Isni Kilajt, duke vendosur një seri masash për të siguruar që ai të mos pengojë procedurat gjyqësore dhe të respektojë rregullat e drejtësisë, shkruan Gazeta KFVA.
Lirimi është dhënë me kusht, pas shqyrtimit të rrethanave dhe rrezikut të mundshëm, si dhe bazuar në garancitë e ofruara nga mbrojtja e tij.
Sipas vendimit, Kilaj nuk lejohet të largohet nga territori i Kosovës pa autorizim të panelit kompetent të Gjykatës Speciale.
Ai është i detyruar të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi, duke përfshirë vizat dhe çdo dokument identiteti të lëshuar pas vendimit, dhe mund ta përdorë pasaportën vetëm për të qenë i pranishëm në selinë e Gjykatës Speciale.
Gjykata ka kërkuar gjithashtu që Kilaj të japë një adresë të qëndrimit gjatë gjithë procedurës gjyqësore dhe të marrë leje nga Gjykata Speciale për çdo ndryshim të banimit. Ai është gjithashtu i detyruar të sigurojë një garanci financiare prej 40 mijë euro, e cila shërben si kusht për lirimin e tij.
Një pjesë e rëndësishme e masave përfshin ndalimin e çdo kontakti të drejtpërdrejtë ose tërthortë me bashkëakuzuarit e tij dhe vizitorët e tyre, si dhe me çdo dëshmitar ose person të përmendur në aktakuzën e konfirmuar si pjesëmarrës në pengimin e procedurës gjyqësore.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që Kilaj nuk mund të diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij, as me familjarët e afërt, as me persona të tjerë, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës. Vendimi thekson se këto masa janë të nevojshme për të mbrojtur integritetin e procesit gjyqësor dhe për të siguruar që Kilaj të qëndrojë në përputhje me rregullat gjatë gjithë periudhës së lirimit me kusht.
Kushtet për lirimin e Isni Kilajt:
– Nuk lejohet të largohet nga territori i Kosovës pa autorizim të një paneli kompetent të Gjykatës Speciale.
– Duhet të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi, përfshirë vizat dhe dokumentet e identitetit; pasaporta i jepet vetëm në rast se prania e tij kërkohet në selinë e Gjykatës Speciale dhe dorëzohet përsëri pas kthimit në Kosovë.
– Duhet të japë një adresë ku do të qëndrojë gjatë procedurave gjyqësore dhe duhet të kërkojë leje nga Gjykata Speciale për çdo ndryshim të banimit.
– Duhet të sigurojë një garanci financiare prej 40,000 € si kusht për lirimin e tij.
– Nuk duhet të ketë asnjë kontakt, drejtpërdrejt ose tërthortë, me të akuzuarit e tjerë ose vizitorët e tyre në qendrat e paraburgimit të Gjykatës Speciale.
– Nuk duhet të ketë asnjë kontakt me ndonjë dëshmitar në këtë ose çdo rast tjetër para Gjykatës Speciale.
– Nuk duhet të ketë kontakte me personat e përmendur në aktakuzën e konfirmuar si pjesëmarrës ose ndihmues në pengimin e procedurës.
– Nuk duhet të diskutojë substancën e çështjes së tij, përfshirë informacion publik apo konfidencial, me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës.
– Nuk duhet të diskutojë, përveç me anëtarët e caktuar të ekipit të tij mbrojtës, substancën e çështjes së tij, qoftë informacion publik apo konfidencial, me askënd, përfshirë edhe familjarët e afërt, dhe duhet t’i njoftojë të gjithë ata që bëjnë pyetje rreth çështjes së tij se ai është subjekt i një ndalimi të tillë nga Gjykata Speciale;
– Duhet të përmbahet nga dhënia, drejtpërdrejt ose tërthortë (p.sh. përmes familjarëve), e çdo deklarate publike për mediat dhe/ose për rrjetet sociale lidhur me Gjykatën Speciale, Zyren e Prokurorit të Specializuar dhe/ose çdo procedurë të Gjykatës Speciale;
– Duhet të jetë i disponueshëm për një kontroll verifikimi javor nga Policia e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Zyrtari më i lartë administrativ (Fidelma Donlon)
– Duhet t’i dorëzohet kujdestarisë së Gjykatës Speciale, nëse urdherohet, dhe të marrë pjesë në çdo seancë sipas kërkesës së Gjykatës Speciale; çdo mosparaqitje para Gjykatës Speciale, sipas urdhrit, do të çojë në humbjen e garancisë financiare të parashikuar në nën-paragrafën (d) dhe në lëshimin e menjëhershëm të një urdhri arresti;
– Duhet t’i informojë Regjistrarin për adresën ku do të qëndrojë gjatë prezencës në territorin e Shtetit Mikpritës për qëllimin e ndjekjes së seancave gjyqësore dhe duhet të respektojë çdo kufizim të lëvizjes në territorin e Shtetit Mikpritës, që mund t’i vendoset gjatë periudhës së qëndrimit atje;
– Duhet të respektojë klasifikimin e këtij vendimi dhe nuk duhet ta publikojë, zbulojë ose diskutojë përmbajtjen e tij, drejtpërdrejt ose tërthortë, me asnjë person, përfshirë çdo të akuzuar në Qendrat e Paraburgimit dhe familjen e tij, përveç këshilltarit të tij ligjor, deri sa vendimi të bëhet publik me urdhër të Gjyqtarit të Vetëm të Gjyqit;
– Duhet të respektojë çdo vendim, urdhër ose instruksion tjetër të Gjyqtarit të Vetëm të Gjyqit dhe të Zyrtarit më të lartë administrativ (Fidelma Donlon)






