Përdorimi i pakontrolluar i suplementeve mund të sjellë më shumë dëm sesa dobi, paralajmërojnë mjekët. Sipas tyre, suplementet duhet të merren vetëm kur ekziston një mungesë e provuar e vitaminave apo mineraleve, në doza të sakta dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësorë. Kombinimet e gabuara, sipas ekspertëve, jo vetëm që mund të zbehin efektet, por edhe të shkaktojnë mungesa serioze të mineraleve kryesore.
Një ndër gabimet më të shpeshta është konsumimi i kafesë së bashku me suplementet e hekurit, çka nuk jep efektin e dëshiruar. Kirurgu i njohur, Dr. Karan Rajan, paralajmëron gjithashtu se sasitë e larta të kalciumit qoftë nga ushqimi apo suplementet mund të pengojnë përthithjen e hekurit. Me këtë rast, ai nënvizon se përdorimi i njëkohshëm i disa suplementeve mund të shkaktojë edhe komplikime.
Kalcium dhe hekur
Ekspertët janë të njëzëshëm: këto dy suplemente nuk duhet të merren kurrë në të njëjtën kohë. Rekomandohet të paktën një interval prej dy orësh mes tyre. Edhe Mayo Clinic sugjeron që kalciumi të shmanget gjatë konsumimit të ushqimeve të pasura me hekur, ndërsa hekuri përthithet më mirë kur merret me vitaminë C.
Zink dhe kalcium
Këto dy minerale “garojnë” për përthithje në zorrë, gjë që i ul efektet e të dyjave. Dr. Rajan këshillon që të merren me diferencë kohore prej rreth dy orësh.
Zink dhe hekur
Dozat e hekurit mbi 25 mg ulin përthithjen e zinkut. Prandaj, zinku duhet të merret disa orë pas hekurit, sidomos kur suplementimi është i domosdoshëm.
Çaj jeshil / ekstrakt çaji jeshil dhe hekuri
Ky kombinim ul ndjeshëm përthithjen e hekurit. Dr. Rajan rekomandon shmangien e çajit jeshil nëse po merret hekur si suplement. Një studim i vitit 2016 madje tregon se konsumimi i tepërt i çajit jeshil mund të çojë në anemi nga mungesa e hekurit.
Vitamina C dhe vitamina B12
Mjekët paralajmërojnë se vitamina C në doza të larta mund të ulë përthithjen e vitaminës B12. Rekomandimi është që vitamina C të merret të paktën dy orë pas marrjes së B12.
Zink dhe magnez
Marrja e tyre njëkohësisht, veçanërisht kur zinku merret në doza mbi 140 mg në ditë, mund të ndikojë negativisht në përthithjen e magnezit. Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që të merren në kohë të ndryshme të ditës.






