Aleatët evropianë të Ukrainës kërkojnë më shumë garanci sigurie

 

 

Udhëheqësit evropianë kanë thënë se ka ende punë për t’u bërë për të marrë garanci sigurie për Ukrainën, ndërsa presioni nga Washingtoni mbi Kievin rritet për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë, raporton BBC.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua të hënën në Londër me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, atë të Francës Emmanuel Macron dhe atë të Gjermanisë, Friedrich Merz për të diskutuar versionin e fundit të një plani paqeje, të hartuar gjatë bisedimeve midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë javën e kaluar.

Pas takimit, Franca tha se puna do të “intensifikohej” për të ofruar garanci sigurie për Kievin.

Të hënën në mbrëmje Zelensky do të udhëtonte për në Bruksel për t’u takuar me zyrtarët e NATO-s dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Përpara bisedimeve që ai priti në Downing Street, Starmer tha se duhej të kishte “garanci të rrepta sigurie” në një marrëveshje paqeje për Ukrainën.

Merz deklaroi se ishte “skeptik” në lidhje me disa nga detajet e planit të mundshëm të paqes që vijnë nga pala amerikane. “Por ne duhet të flasim për këtë. Kjo është arsyeja pse jemi këtu”, shtoi ai.

Në Kiev dhe në të gjithë Evropën ekziston frikë se SHBA-të mund t’i japin fund mbështetjes për Ukrainën për shkak të zhgënjimit me përparimin e ngadaltë të negociatave. “Nuk mund t’ia dalim pa amerikanët, nuk mund t’ia dalim pa Evropën dhe për këtë arsye duhet të marrim disa vendime të rëndësishme”, tha Zelensky në Londër.

Javën e kaluar, zyrtarët ukrainas kaluan tre ditë me ekipin negociator amerikan në Florida duke nxitur ndryshime në një propozim paqeje të mbështetur nga SHBA-të, i cili është konsideruar gjerësisht i favorshëm për Rusinë.

  • Shkrime të ngjashme

    Osmani për FSK-në: Profesionale, aleate e besueshme – fuqia që garanton lirinë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar një video të Forcës së Sigurisë së Kosovës në rrjetin social Facebook. Krahas videos ajo tha se FSK është krenari dhe fuqi që garanton lirinë. “E fortë. Profesionale. Aleate e besueshme. E pathyeshme.…

    I zhdukur prej dy javësh: Policia publikon foton e 17-vjeçarit nga Gjilani, kërkon ndihmë për gjetjen e tij

    Policia e Kosovës ka publikuar foton e një 17-vjeçari nga Gjilani duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij. Policia ka bërë të ditur edhe se, i riu është shpallur person i humbur që nga data 2 janar. “Në…