Limaj: Nisma garon e vetme, bashkimi me PDK-në bëhet në Parlament

 

 

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nëse partia e tij e kalon pragun, e për të cilin është i bindur se do të ndodhë në zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor, atëherë në Parlamentin e Kosovës do të arrijë bashkimin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Sonte besoj unë dhe secili nga miqtë, shokët, bashkëpunëtorët veteranë, intelektualë, familje dëshmorësh, elektoralë, njerëz të vullnetit të mirë, kanë pritur lajm të mirë, një lajm që do t’i gëzonte zemrat e tyre. E lajmet për bashkim gjithmonë gëzojnë zemra, sepse bashkimi paralajmëron fitore”, ka thënë Limaj në konferencë për media.

“Kemi dashur që në këtë garë të shkojmë bashkë e me i dhanë mundësi ndryshimit. Fatkeqësisht ky bashkim nuk ka ndodhur. Shkaku se pse nuk ka ndodhur bashkimi, tanimë dihet. Ama, kjo është vetëm një fazë. Rruga për bashkim është e fshirë, por ne do të vazhdojmë”.

“Jam i bindur, nëse NISMA do të jetë në parlament, me grupin e vet parlamentar, do t’i bashkohemi bashkimit. Do të jemi bashkë me shokët, me shoqet, me gjithë ata që kanë kërku bashkimin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Limaj në një konferencë për media.