Ambasada amerikane ka mirëpritur ngjarjen e djeshme në katër komunat veriore të vendit ku kryetarët e Listës Srpska rimorën pushtetin.
Ambasada tha se pret vazhdim të bashkëpunimit paqësor. Ngjashëm janë deklaruar edhe misionet e tjera të huaja në vend.
Ambasada amerikane e ka mirëpritur dorëzimin e qetë të detyrës te kryetarët serbë në katër komunat veriore. Kryetarët serbë atje u betuan në një ceremoni në prezencë të simboleve shtetërore derisa morën detyrën nga kryetarët shqiptarë që u vendosen në këto komuna më 2023.
“Ambasada e SHBA-së mirëpret tranzicionin e qetë të pushtetit dhe shpresojmë të shohim vazhdimin e bashkëpunimit paqësor”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane për Express.
Kalimi i qetë dhe pa probleme i pushtetit atje u mirëprit edhe nga Zyra e BE-së, ambasada gjermane dhe ajo britanike.
Dje Milan Radojeviq mori postin në krye në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në atë të Leposaviqit, Dragisha Milloviq në atë Zveçanit dhe Millosh Peroviq në atë Zubin Potokit.






