Zyra e BE’së në Kosovë ka dënuar gjuhën e përdorur nga anëtari i VV’së në KQZ, Sami Kurteshi, ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe mediumeve në vend, përfshirë KFVA.
BE ka bërë thirrje që këto praktika të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave të marrin fund, shkruan Reporteri.net.
“BE-ja në Kosovë e dënon sulmin dhe gjuhën e përdorur nga anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, i cili e quajti Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK “aleancë të grupeve kriminale”, dhe bën thirrje që praktika të tilla të marrin fund. Liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike – 🇪🇺 do të vazhdojë ta mbështesë 🇽🇰 në zhvillimin e saj”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Kurteshi ka sulmuar me gjuhë të ashpër e kërcënuese Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe disa media, duke i akuzuar për shpifje, manipulim dhe veprime të dirigjuara.
Kurteshi e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale”, duke e akuzuar për, siç thotë ai, mbrojtje të mediave që i cilëson si “altoparlantë të krimit të organizuar dhe dezinformimit”. Ai përmend disa media me emër, përfshirë “Reporteri”, “Gazeta Express”, “Telegrafi”, “Insajderi”, “Klan TV”, “Paparaci” dhe të tjera.






