Marrëveshja e paqes mes Ruandës dhe Kongos në Uashington, Trump: Një mrekulli, ndihem i privilegjuar

 

 

Presidenti amerikan Donald Trump ka kryesuar sot në Uashington ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje mes Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, në një ndërtesë që së fundmi është riemërtuar në nder të tij. Megjithë tonin optimist të Trump, i cili e quajti dokumentin “një mrekulli”, luftimet e ashpra në lindje të Kongos vijojnë.

Trump lavdëroi marrëveshjen si “të fortë dhe të detajuar”, ndërsa presidentët Félix Tshisekedi dhe Paul Kagame mbajtën një qasje më të rezervuar. “Në të ardhmen, këta dy liderë do të kalojnë shumë kohë duke u përqafuar dhe duke i shtrënguar duart njëri-tjetrit,” tha ai, duke shtuar se “të gjithë do të përfitojnë ekonomikisht” nga marrëveshjet e Uashingtonit.

Lexo edhe:

Autostrada në Indonezi shembet papritur, krijohet kaos mes qytetareve

Sipas studiuesit kongolez Reagan Miviri, ceremonia ishte rezultat i “presionit të madh” nga SHBA, duke theksuar se për amerikanët “jo përmbajtja, por vetë nënshkrimi” ishte i rëndësishëm.

Marrëveshja synon të zyrtarizojë angazhimet e marra që në qershor, nën ndërmjetësimin e SHBA-ve. Ajo u firmos në selinë e “Institutit Donald Trump për Paqen”, institucion që deri disa ditë më parë njihej si “Instituti Amerikan për Paqen”, por që u riemërtua të mërkurën nga Departamenti i Shtetit.

“Është një nder i madh,” deklaroi Trump, i cili prej kohësh e paraqet veten si ndërmjetësues të rëndësishëm ndërkombëtar, pavarësisht rezultateve të përziera në konfliktet globale.

Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, vlerësoi ndërmjetësimin “pragmatik” të Trump, por paralajmëroi se zbatimi i marrëveshjeve do të ketë “ulje-ngritje”. Ndërsa presidenti kongolez Félix Tshisekedi e quajti këtë moment “pikë kthese”, duke paralajmëruar se procesi i ardhshëm do të jetë “i vështirë dhe kërkues”.

Ndërkohë, në terren, përplasjet luftarake vijojnë prej ditësh midis grupit të armatosur M23, të mbështetur nga Ruanda dhe ushtrisë së Kongos, e ndihmuar nga milici lokale, në provincën e Kivu të Jugut, sipas burimeve rajonale.

  • Shkrime të ngjashme

    Nëse shihni personin në foto lajmëroni policinë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për grabitje. Në njoftimin e lëshuar nga ana e Policisë, është shpërndarë edhe një foto e te dyshuarit. “Të nderuar, për çdo informatë që mund të…

    Shtëpia e Bardhë sfidon Grenlandën: Nga cila anë, o grenlandezë?

    Shtëpia e Bardhë publikoi së fundmi një grafik që ilustron Grenlandën para një zgjedhjeje strategjike: ndikimin amerikan ose atë ruso‑kinez. Postimi paraqet një person me flamurin e Grenlandës pranë një kryqëzimi rrugësh, ku një rrugë çon drejt Shtëpisë së Bardhë…