Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka kritikuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Rudoph i ka cilësuar këto si manovra politike, shkruan Reporteri.net.
“Shpreh keqardhjen për sjelljen penguese të disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor, të cilët kanë refuzuar të certifikojnë Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të aktorëve politikë.”, ka shkruar Rudolph.
Edhe Ambasada e ShBA’së ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi.
Sipas ambasadës, veprime të tilla cenojnë stabilitetin e vendit dhe interesat amerikane, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik.
“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë janë të ngushta në vizion dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla cenojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë edhe rifillimin e dialogut strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe ato kosovare”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Kundër certifikimit të Listës Serbe kanë votuar dy anëtarët e VV’së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi. Kryesuesi i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja e Listës Serbe në KQZ, kanë votuar pro, teksa anëtarët e partive tjera kanë abstenuar.
Tani vendimi mbetet në dorë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.






