Manipulimi i zgjedhjeve dhe trafiku i kokainës/ Rubio: Ja se si Maduro e mashtroi Bidenin, me Trump nuk do ndodhë kurrë

 

 

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kritikoi ashpër regjimin e presidentit venezuelas, Nicolás Maduro, në një intervistë për “Hannity” të martën, teksa presidenti Donald Trump po rrit presionin ndaj udhëheqësit që të heqë dorë nga pushteti.

“Regjimi i Maduros nuk është një qeveri legjitime,” i tha Rubio drejtuesit të Fox News, Sean Hannity. “Ajo çfarë është në të vërtetë, është një organizatë tranziti. Lejon që kokaina dhe droga të tjera, të prodhuara në Kolumbi, të transportohen përmes territorit venezuelas dhe – me bashkëpunimin e elementëve të regjimit – u lejohet… të largohen nga Venezuela me avionë dhe anije që shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara”.

Administrata Trump ka vazhduar goditjet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge pranë Venezuelës dhe ka zgjeruar praninë e saj ushtarake në rajon.

“Presidenti ka autorizuar një mision kundër drogës në rajon,” tha Rubio. “Fakti që Maduro është i irrituar nga kjo, tregon se droga po del nga Venezuela”.

Administrata po ecën përpara me planet për t’i dhënë fund statusit të mbrojtjes së përkohshme për rreth 600.000 venezuelas që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Rubio akuzoi regjimin e Maduros se po bashkëpunon “haptazi” me trafikantët e drogës. Ai tha se udhëheqja e tij po ushqen paqëndrueshmërinë në Amerikën e Jugut.

“Regjimi venezuelas është një burim pasigurie në gjithë rajonin,” deklaroi ai. “Mbi tetë milionë venezuelas kanë vërshuar në vendet fqinje si rezultat i veprimeve të regjimit brenda vetë vendit, përfshirë edhe në Shtetet e Bashkuara”.

Ish-senatori i Floridës pretendoi se “problemi” me Maduron është zakoni i tij për të mos respektuar marrëveshjet.

“Nëse do të bësh një marrëveshje me të [Maduron], nuk e di si do ta bëje. Ai ka shkelur çdo marrëveshje që ka bërë ndonjëherë… Maduro ka bërë pesë marrëveshje me palë të ndryshme gjatë 10 viteve të fundit dhe e ka thyer secilën prej tyre,” tha Rubio për Fox News.

Sekretari i Shtetit foli për një marrëveshje të dështuar midis ish-presidentit Joe Biden dhe udhëheqësit venezuelas, për të cilën “nuk flet askush”.

“Maduro i kërkoi [Bidenit] që nipërit e tij, trafikantë droge të dënuar, të liroheshin nga burgjet amerikane,” shpjegoi Rubio. “Ai kërkoi që edhe njeriu i tij kryesor për pastrimin e parave… të lirohej nga paraburgimi amerikan para se të dilte në gjyq. Në këmbim, ai premtoi se do të mbante zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai i mori nipërit mbrapsht, trafikantët e drogës, mori edhe njeriun e parasë, dhe kurrë nuk i mbajti zgjedhjet e lira e të ndershme”.

“Ata e mashtruan Joe Bidenin. Donald Trump nuk do të mashtrohet,” shtoi ai.

Presidenti Trump ka zbuluar së fundmi se ka pasur një telefonatë me Maduron. Udhëheqësit venezuelas i është bërë e qartë nga ana e presidentit që të heqë dorë nga pushteti ose përndryshe mund të përballet me veprim ushtarak nga SHBA.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit të martën, Rubio lavdëroi përpjekjet e politikës së jashtme të presidentit Trump, duke ia njohur atij një nga vitet më “transformuese” në politikën e jashtme që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pavarësisht vështirësive në marrëdhënie me Maduron, Rubio tha se Trump do të vazhdojë të përpiqet për të zgjidhur situatën.

“Presidenti është një figurë e veçantë në historinë moderne amerikane. Ai është i gatshëm të ulet, të takohet dhe të flasë me këdo,” tha ai. “Por në fund të ditës, duhet të ketë dikë me të cilin mund të bësh një marrëveshje reale. Ne kemi bërë marrëveshje me kinezët, por Maduro nuk e ka respektuar asnjë marrëveshje. Kjo nuk do të thotë se presidenti nuk do të provojë”.

  • Shkrime të ngjashme

    Nëse shihni personin në foto lajmëroni policinë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për grabitje. Në njoftimin e lëshuar nga ana e Policisë, është shpërndarë edhe një foto e te dyshuarit. “Të nderuar, për çdo informatë që mund të…

    Shtëpia e Bardhë sfidon Grenlandën: Nga cila anë, o grenlandezë?

    Shtëpia e Bardhë publikoi së fundmi një grafik që ilustron Grenlandën para një zgjedhjeje strategjike: ndikimin amerikan ose atë ruso‑kinez. Postimi paraqet një person me flamurin e Grenlandës pranë një kryqëzimi rrugësh, ku një rrugë çon drejt Shtëpisë së Bardhë…