Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke e quajtur reagimin e tij të padrejtë dhe të çuditshëm.
Sipas saj, Avokati i Popullit ka treguar selektivitet dhe përdor standarde të dyfishta.
Haxhiu ka theksuar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është kundër subjekteve serbe në përgjithësi, pasi disa të tilla janë certifikuar, ndërsa arsyet e moscertifikimit të Listës Serbe janë të njohura dhe të justifikuara.
“Avokati i Popullit duhet ta përfaqësoj më drejtë emrin që mban. Kësaj radhe ky institucion paska reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe. Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka pyetur gjithashtu pse Avokati i Popullit nuk ka reaguar për çështjen e votimit të diasporës, duke theksuar se kjo sjellje bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që institucioni duhet të respektojë.
“Si është e mundur që për një subjekt si Lista serbe që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe jo vetëm që nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë, por ka mbajtur tre ditë zie për terroristët e vrarë aty, IAP shprehet i shqetësuar me kaq lehtësi?”, ka shkruar ajo në Facebook.






