Çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është bërë zyrtarisht pjesë e agjendës së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Kjo ndodhi dje në një dëgjim kongresional në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit, në Nënkomitetin për Evropë, të udhëhequr nga kongresisti Keith Self.
Gjatë fjalës së tij, Self deklaroi se pasivizimi administrativ dhe diskriminimi sistematik i shqiptarëve etnikë nga autoritetet serbe janë të papranueshme dhe përbëjnë rrezik të vërtetë për destabilizimin e rajonit, veçanërisht në kontekstin e agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës.
Ky qëndrim mori mbështetje të gjerë nga dëshmitarë dhe anëtarë të ndryshëm të Kongresit.
Në seancë paraqitën qëndrimet e tyre: Edward P. Joseph (Johns Hopkins SAIS) Luke Coffey (Hudson Institute), Max Primorac (Heritage Foundation)
Disa kongresistë nga të dyja partitë u pajtuan se politika e jashtme amerikane duhet të udhëhiqet nga standarde të qarta dhe se çështja e Luginës së Preshevës nuk mund të anashkalohet më.
Në diskutim u nënvizua gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të insistojnë në njohjen e Kosovës nga Serbia, duke theksuar se Kosova mbetet aleati më i besueshëm i SHBA-ve në Ballkan.
Gjatë dëgjimit në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në ShBA, kongresisti Keith Self prezantoi rezolutën e parë ndonjëherë të Kongresit Amerikan që trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginë.
Kjo u bë e ditur nga ish-deputeti Faton Bislimi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ai tha se kryetari i Nënkomitetit për Evropë theksoi se “ka ardhur koha që Serbia të mbahet përgjegjëse” për trajtimin e shqiptarëve etnikë në këtë rajon, duke e cilësuar pasivizimin administrativ si formë të “spastrimit etnik me mjete administrative”.
“Rezoluta kërkon që Departamenti i Shtetit të përgatisë një raport zyrtar mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke përfshirë: pasivizimin e adresave, i cili prej vitesh është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare, mosnjohjen e diplomave të shqiptarëve, mungesën e përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore të Serbisë, si dhe praktika të tjera të dokumentuara të diskriminimit”, shkroi Bislimi në Facebook.
Përfaqësuesi komunal në Bujanoc, Ragmi Mustafi, e cilësoi seancën si “mbështetje serioze institucionale në Washington”, duke thënë se puna për avancimin e kauzës së Luginës do të vazhdojë me partnerët në SHBA dhe Evropë.
Sipas tij, diskutimi i sotëm është vetëm hapi i parë dhe rezultatet konkrete pritet të vijnë me vazhdimin e angazhimit diplomatik.






