Për çka akuzohet Federica Mogherini?

Të martën janë kryer bastisje në shërbimin diplomatik të Bashkimit Evropian në Bruksel (EEAS) dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges, në kuadër të një hetimi për një mashtrim të mundshëm në përdorimin e fondeve të BE-së, ka njoftuar prokuroria evropiane.

Në total, tre persona janë arrestuar, ka shtuar prokuroria.

Njëri prej tyre është rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini.

Ish–nënkryetarja e Komisionit Evropian aktualisht ndodhet në paraburgim, ka mësuar Le Soir nga burime të sigurta, duke konfirmuar informacionet e L’Echo.

Sipas të njëjtave burime, personat e tjerë të privuar nga liria për t’u marrë në pyetje janë një menaxher i Kolegjit të Evropës si dhe ish–Sekretari i Përgjithshëm i EEAS (2021–2025), diplomati italian Stefano Sannino.

Hetimi synon dyshimet për favoritizëm dhe një mundësi konkurrencë të pandershme në dhënien nga EEAS e një programi 9-mujor trajnimi për diplomatët e ardhshëm evropianë, program i cili iu besua Kolegjit prestigjioz të Evropës.

Faktet e pretenduara datojnë nga periudha 2021–2022, dhe shkeljet e mundshme që po hetohen janë: “mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje e sekretit profesional”, sipas prokurorisë evropiane.

Kolegji i Evropës është një institucion i arsimit të lartë që formon shumë zyrtarë evropianë.

Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë “nëse Kolegji i Evropës ose përfaqësuesit e tij janë informuar paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes” në kuadër të procedurës së tenderit të hapur nga shërbimi diplomatik i BE-së për një program trajnimi.

Prokuroria Evropiane (EPPO), e krijuar zyrtarisht në vitin 2021, është një organ i pavarur i BE-së i ngarkuar me luftimin e mashtrimit me fondet e Unionit dhe çdo shkeljeje tjetër që cenon interesat e tij financiare (korrupsion, pastrim parash, mashtrim ndërkufitar me TVSH etj.).

Kjo strukturë mbikombëtare ka për detyrë jo vetëm të hetojë, por edhe të ndjekë penalisht dhe t’i çojë në gjykatë autorët e këtyre shkeljeve – një kompetencë që më parë nuk e kishte as Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

Heqja e imunitetit

Hetimi po drejtohet bashkërisht nga një gjyqtar hetues i Flandrës Perëndimore, provinca belge ku ndodhet Bruges. Pikërisht policia federale belge ka kryer bastisjet.

Para kësaj operacioni policor, Prokuroria Evropiane kishte kërkuar heqjen e imunitetit për disa prej të dyshuarve, kërkesë që është miratuar, theksoi organi i akuzës, pa përmendur emra apo funksione.

Një zyrtar i BE-së konfirmoi për AFP se shërbimi diplomatik në Bruksel ishte një nga objektivat e këtij operacioni policor, lidhur me “aktivitete që datojnë nga mandatet e mëparshme”, përpara se Kaja Kallas të merrte detyrën si Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme në fund të vitit 2024.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…