Tentimvrasja në Brekoc të Gjakovës, autori dënohet me 4 vjet e gjashtë muaj burg

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit P.B., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili u shpall fajtor për veprat penale vrasje e mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, i shqiptoi të pandehurit dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, incidenti ka ndodhur më 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Diaspora” në Brekoc të Gjakovës. Pas një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme pronësore, i pandehuri kishte tentuar me dashje ta privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B.

Gjatë një bisede pranë rrethojës së oborrit dhe pas një fjalosjeje, i pandehuri kishte nxjerrë pistoletën dhe, në momentin kur i dëmtuari po largohej me vrap, kishte shtënë nga një distancë prej rreth tre metrash, duke e goditur në pjesën e poshtme të shpinës. Si pasojë e plagosjes, viktima kishte pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, duke iu nënshtruar trajtimit kirurgjik.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit në formë të shkruar.

  • Shkrime të ngjashme

    Arratisja e Altin Ndocit, arrestohet pas shkarkimit ish-drejtori i Burgut të Durrësit

    Drejtori i shkarkuar i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, pas arratisjes së Altin Ndocit, është arrestuar nga Policia, si i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të…

    Shifrat e fushatës: Sa ka investuar AAK për zgjedhjet lokale

    KQZ ka bërë publike detajet financiare të fushatës së AAK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti. Raporti i paaudituar tregon se partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar mbi 24 mijë euro, kryesisht për reklama, paga dhe detyrime të tjera, duke…