NATO ka deklaruar se do të bëhet ‘më agresive’ për të kundërshtuar sulmet hibride të Rusisë dhe shkeljen e tyre ajrore që po bëjnë nëpër Evropë, transmeton Gazeta KFVA.
Zyrtari i lartë ushtarak i aleancës Admirali Giuseppe Cavo Dragone, i cili kryeson Komitetin Ushtarak të NATO-s tha se po shqyrtojnë një ndryshim drejt një përgjigjeje më të vendosur ndaj operacioneve kibernetike, sabotimit dhe shkeljeve të hapësirës ajrore të Rusisë.
“Ne po studiojmë gjithçka… Në lidhje me kibernetikën, ne jemi disi reaktivë. Të qenit më agresivë ose të qenit proaktivë në vend të reaktivëve është diçka për të cilën po mendojmë”, tha Dragone për FT.
Ai gjithashtu sugjeroi që një “sulm parandalues”, në disa rrethana, mund të shihet si “veprim mbrojtës”, ndërsa vuri në dukje se një qasje e tillë është “më larg mënyrës sonë normale të të menduarit dhe sjelljes.
“Të qenit më agresiv krahasuar me agresivitetin e homologut tonë mund të jetë një mundësi. [Çështjet janë] korniza ligjore, korniza juridiksionale, kush do ta bëjë këtë?” tha ai.
Vendet evropiane janë përballur me një sërë incidentesh hibride vitet e fundit – duke përfshirë sulme kibernetike, sabotim të dyshuar të lidhur me Rusinë dhe raste të përsëritura të dëmtimit të infrastrukturës nënujore në Detin Baltik.
Dragone theksoi misionin Baltic Sentry të NATO-s si një shembull të parandalimit të suksesshëm.
“Operacioni vendos anije, avionë dhe dronë detarë aleatë për të monitoruar infrastrukturën kritike në Detin Baltik pas incidenteve të shumta të prerjes së kabllove në 2023 dhe 2024. Që nga fillimi i Baltic Sentry, asgjë nuk ka ndodhur. Pra, kjo do të thotë që ky parandalim po funksionon”, i tha ai FT.
Shqetësimet mbeten, megjithatë, pasi një gjykatë finlandeze rrëzoi një çështje që përfshinte Eagle S – një anije e lidhur me Rusinë e dyshuar për dëmtimin e disa kabllove nënujore të energjisë elektrike dhe të dhënave, sepse incidenti ndodhi në ujëra ndërkombëtare.
Dragone tha se sfida qendrore për NATO-n është përcaktimi se si të parandalojë sulmet hibride në të ardhmen.
“Si arrihet parandalimi, përmes hakmarrjes, përmes sulmit parandalues - kjo është diçka që duhet ta analizojmë thellë sepse në të ardhmen mund të ketë edhe më shumë presion mbi këtë”, tha ai.
