Veliu: Përfshirja në listën për deputet s’është privilegj por përgjegjësi, i gatshëm të jap kontributin tim

Agim Veliu ka reaguar pas diskutimeve të shumta që janë shfaqur ditëve të fundit lidhur me mundësinë e përfshirjes së tij në listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se përfshirja në listën për deputet nuk është privilegj personal, por përgjegjësi ndaj historisë së LDK-së dhe qytetarëve që kanë besuar në këtë subjekt politik.

“Për mua dhe për çdo kontribuues afatgjatë të LDK-së, pjesëmarrja në listën zgjedhore është vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim dhe respekt ndaj qytetarëve”, ka deklaruar Veliu.

Tutje ai ka shkruar se është e domosdoshme që të mos anashkalohen ata që, sipas tij, e kanë mbajtur gjallë LDK-në për më shumë se tri dekada.

Postimi i tij i plotë:

Të dashur qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë

Ditëve të fundit kam parë një debat të gjerë në media, nga anëtarësia dhe shumë aktivistë të LDK-së lidhur me përfaqësimin në listën zgjedhore të 28 dhjetorit.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që me sinqeritet e bindje kanë ngritur zërin për kontributin tim dhe për kthimin e drejtësisë dhe meritokracisë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Është e vërtetë se edhe në zgjedhjet e kaluara ka ekzistuar pritja që të jem pjesë e listës. Por, pavarësisht vendimeve të padrejta e të dëmshme të asaj kohe, unë kam vazhduar të qëndroj aty ku kam qenë gjithmonë, në shërbim të LDK-së, të qytetarëve dhe të vlerave që kemi kultivuar për më shumë se tri dekada.

Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite.

LDK është shtëpia jonë e përbashkët. Ajo është ndërtuar me mund, sakrificë dhe besnikëri nga njerëzit që ishin aty kur ishte më së vështiri dhe që vazhdojnë të jenë aty edhe sot.

Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite.

Respekti për bazën, për themeluesit dhe për kontribuesit afatgjatë nuk është vetëm parim, është detyrim moral dhe institucional ndaj LDK-së, ndaj anëtaresisë dhe ndaj qytetarëve që na besojnë.

Pavarësisht debateve të ditëve të fundit, unë mbetem i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm ta jap kontributin tim dhe besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet.

Faleminderit për vlerësimin, mbështetjen dhe besimin që vazhdoni të ma jepni!

Zoti e bekoftë LDK-në!
Zoti e bekoftë Rugovën!
Zoti e bekoftë Kosovën!

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…