Sorensenit pritet t’i zgjatet mandati edhe për dy vjet si ndërmjetës në dialog Kosovë–Serbi

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që emisarit evropian për dialog, Peter Sorensen, t’i vazhdohet mandati, në përputhje me rekomandimin e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.

Mandati i tij i parë ishte 13-mujor dhe skadon në fund të muajit shkurt. Pranohet se nuk ka pasur shumë lëvizje në proces, përveç disa takimeve në nivel të kryenegociatorëve. Megjithatë, mungesa e progresit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve u atribuohet kryesisht zhvillimeve të brendshme politike, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

BE-ja tashmë ka konfirmuar se Përfaqësuesja e Lartë e për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, synon organizimin e një takimi në nivel liderësh, por vetëm kur të krijohen kushtet e nevojshme për një takim të tillë, raporton KFVA.

Bashkimi Evropian vazhdon të insistojë se progresi në rrugën evropiane, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, varet drejtpërdrejt nga avancimi në procesin e dialogut.

Në takimin e dhjetorit të ministrave evropianë, pritet t’u rikujtohet palëve se, në mungesë të përparimit në normalizimin e marrëdhënieve, ato rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.

Pavarësisht mungesës së takimeve në nivelin më të lartë politik, Bashkimi Evropian vazhdon t’u kërkojë Kosovës dhe Serbisë përmbushjen e të gjitha detyrimeve të dala nga dialogu dhe zbatimin e marrëveshjes së vitit 2023, të arritur mes liderëve në Ohër.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…