Përtej mungesës së laboratorëve, siguria ushqimore në Shqipëri cenohet rëndë nga një hallkë edhe më banale, por kritike: procesi i marrjes dhe transportit të mostrave për analizë. Ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksani, ka denoncuar kushtet primitive dhe joprofesionale në të cilat operojnë inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e çdo analize që kryhet në vend.
Një nga rastet më flagrante të diskutuara është inspektimi i produkteve të importit, specifikisht mishit të ngrirë, nga i cili tregu shqiptar është pothuajse totalisht i varur. Ky produkt arrin në Portin e Durrësit në temperatura -18 gradë Celsius. Protokolli i sigurisë kërkon që inspektimi dhe marrja e mostrës të bëhet pa e ndërprerë zinxhirin ftohës, pasi çdo luhatje e temperaturës (qoftë edhe me 1-2 gradë) favorizon aktivizimin e patogjenëve dhe baktereve të rrezikshme. Megjithatë, realiteti në terren është tronditës. AKU nuk disponon ambiente frigoriferike të përshtatshme në pikat kufitare për të kryer këto inspektime, duke bërë që kontejnerët të hapen në ambiente të jashtme, shpesh nën diellin përvëlues të verës me temperatura që arrijnë 35 gradë.
Ana Vuksani: Atëherë, në dijeninë time ka disa projekte të BE-së që në fakt kanë investuar në laborator. Dhe është e paqartë se në fakt… Ku kanë shkuar paratë.
Kjo është e para. E dyta, në progres raport thuhet që ka metoda të vjetëruara, ka mungesë të pajisjeve, të cilat do të kryenin analiza sipas standarteve. Ka mungesë edhe të kapaciteteve njerëzore të cilat do të vinin në punë dhe do të kryenin këto analiza. Por, në fakt, më shqetësues është fakti, se kjo është pjesa infrastrukturore dhe do një faktor, duhen para, qoftë për të investuar në laboratore, qoftë për akreditimin e analizave, qoftë për pajisje, qoftë edhe për trajnimin e punonjësve që do të kryejnë këto analiza. Por një problem që kemi sot te AKU-ja, që nuk do ndonjë shifër të madhe, është mënyra e marrjes së mostrës dhe dërgimi i tyre në kushtet e duhura në regjimin termik të duhur dërgimi në laborator.
Për shembull, po ju marr për ta shpjeguar. Mishi i ngrirë që ne varemi totalisht nga importi sot, për sot, vjen në një temperaturë -18 gradë. Dhe institucionet dështojnë që në pikën e inspektimit kufitar, që është pika ku ti ke mundësi ta kthesh mbrapsht, në qoftë se ka një problem, sepse po u fut brenda vendit, dhe në qoftë se ti e evidenton problemin, detekton një problem, duhet që të marrësh masa ta asgjësosh në Shqipëri. Pra nuk ke mundësi ta kthesh mbrapsht.
AKU-ja aktualisht nuk ka ambiente frigoriferike për të kryer inspektimin siç duhet të ngarkesave, por në të njëjtën kohë për të marrë mostrën në këtë temperaturë, sepse ulja e kësaj temperature qoftë edhe me 1 deri 2 gradë bëhet objekt kontaminimi nga patogjenë të ndryshëm. Hapet në ambiente të hapura, qëllon në verë dhe në temperatura 35 gradë për të marrë mostrën dhe pastaj nga Durrësi, sepse ajo vjen në portin e Durrësit zakonisht ngarkesa, sillet në Tiranë. Dhe e dimë me çfarë vjen në Tiranë? Vjen me ‘frigobokse’ që ne shkojmë në plazh. Pra dhe kjo nuk ruhet në temperaturën -18 gradë sa ç’vjen. Një element tjetër është që mostra nuk është e ambalazhuar në mënyrë të tillë që të ruajë anonimatin. Pra në momentin që hapet ambalazhi të mos rifutet më. Dhe të gjitha këto elementë, në fakt, kompromentojnë edhe një analizë sado e akredituar të jetë dhe një laborator sado që plotëson standardet ISO të nevojshme.
