Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban” ka shprehur keqardhje për vështirësitë dhe shqetësimet që po u shkaktohen qytetarëve si pasojë e pezullimit të transportit publik, duke theksuar rëndësinë jetike që ky shërbim ka për lëvizjen e përditshme.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, edhe pse sot Kuvendi Komunal ka votuar bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024, këto mjete nuk janë ende të përdorshme, pasi duhet të transferohen fillimisht nga institucionet qendrore. Deri në përmbylljen e këtij procesi, “Trafiku Urban” mbetet në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve dhe, si rrjedhojë, nuk mund të rifillojë operimin normal.
Nga kjo ndërmarrje u bëhet thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, që të përshpejtojnë procedurat e transferimit të mjeteve, në mënyrë që transporti publik të rikthehet sa më shpejt.
Ndërkohë, përderisa mjetet financiare nuk janë ende të qasshme, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e “Trafikut Urban” do të vazhdojë, ndërsa shërbimi i transportit do të mbetet i pezulluar.
“Trafiku Urban” ka bërë të ditur se sapo të bëhen të qasshme mjetet financiare, operimi i transportit publik do të rifillojë pa asnjë vonesë. Gjithashtu, qytetarët që kanë paguar bileta mujore do të kompensohen për ditët në të cilat nuk kanë mundur të shfrytëzojnë shërbimin.
Komunikata e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Në radhë të parë shprehim keqardhje të thellë për shqetësimet dhe vështirësitë që po ju shkaktohen nga pezullimi i transportit publik. E dimë sa i rëndësishëm është ky shërbim për lëvizjen tuaj të përditshme.
Megjithëse sot Kuvendi Komunal ka votuar bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024, duhet theksuar qartë se këto mjete mund të bëhen të përdorshme vetëm pas transferimit të tyre nga institucionet qendrore. Deri në realizimin e këtij hapi, N.P.K. “Trafiku Urban” SHA mbetet në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve, e rrjedhimisht edhe për të rifilluar operimin normal.
Për këtë arsye e shohim të arsyeshme dhe të domosdoshme që të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, të përshpejtojnë të gjitha procedurat e transferimit, në mënyrë që ndërmarrja të mund t’i kthehet menjëherë shërbimit publik.
Deri në përmbushjen e këtyre obligimeve, dhe për sa kohë mbetet e pamundur të rifillojmë operimin, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e Trafikut Urban do të vazhdojë.
Me të bërë të qasshme mjetet financiare, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë.
Gjithashtu, i njoftojmë qytetarët se për të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët në të cilat shfrytëzuesit nuk kanë mundur të përdorin shërbimin e transportit.
Faleminderit për mirëkuptimin tuaj.
