• 27 Nëntor 2025 18:06

Legjitimohen kriptomonedhat! Shqipëria do të ketë një bazë të re ligjore

Nën 27, 2025

Nga prodhimi te përdorimi, investimi apo këmbimi… Shqipëria do të ketë një ligj të ri për kriptomonedhat. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur në konsultim publik projektligjin “Për tregjet e kripto-aseteve”. Baza e re ligjore zëvendëson atë të vitit 2020 “Për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” (printscreen) e cila nuk u bë kurrë e zbatueshme.

Projektligji ka si qëllim të rregullojë subjektet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike si dhe veprimtaritë e ndërmjetësimit të kripto-aseteve të tilla si operimi i një platforme tregtie, këmbimi, kujdestaria, marrja dhe transmetimi i urdhrave, ekzekutimi i urdhrave, hedhja në treg, transferta, këshillimi dhe administrimi i një portofoli kripto-asetesh.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Baza e re ligjore e hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me asistencën e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ synon të krijojë kushtet e duhura për të lejuar veprimtarinë pa pengesa të përdorimit të valutës digjitale.

Projektligji synon garantimin e standardeve më të larta të mbrojtjes së investitorëve dhe integritetit të tregut, përmes kërkesave prudenciale, rregullave dhe politikave të qeverisjes korporative, menaxhimit të konfliktit të interesit, masave të sigurisë kibernetike dhe operacionale, transparencës së dokumentit informues, rregullave të marketingut, si dhe mekanizmave kundër abuzimit me tregun dhe në përputhje me politikat e parandalimit të pastrimit të parave.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Një element i rëndësishëm i projektligjit “Për tregjet e kripto-aseteve” është përcaktimi i të drejtës së qytetarëve për të hequr dorë nga investimi në kriptomonedha.

Klientët jo profesionistë, brenda 14 ditësh nga dita e nënshkrimit të marrëveshjes, mund të tërhiqen nga marrëveshja për të blerë kripto-asete të ndryshme nga tokeni i asetit ose tokeni i parasë elektronike pa asnjë tarifë ose kosto shtesë, si dhe pa dhënë arsyet e tërheqjes. Kjo periudhë do të fillojë nga data e nënshkrimit të marrëveshjes së klientit jo profesionist për të blerë kripto-asetet në fjalë.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, baza e re ligjore krijon kushtet e duhura për negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Ndër piketat mbyllëse të këtij grup-kapitulli parashikohet edhe përafrimi me kuadrin rregullator evropian në fushën e financave digjitale, duke përfshirë rregullim të ligjit të kripto-aseteve. Kjo i jep një rëndësi të shtuar procesit të transpozimit të Rregullores së BE “Për Tregjet e Kripto-Aseteve” në legjislacionin shqiptar, si një parakusht për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Në Shqipëri përllogaritet të jenë deri në 50 mijë portofole investime në kriptomonedha, kryesisht në Bitcoin vlera e të cilave shkon në rreth 90 milionë dollarë.