Sot fillon afati për regjistrimin e mërgatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Sot do të fillojë periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë detaje për mënyrën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila do të përmbyllet më 6 dhjetor.

“Gjatë kësaj periudhe 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi mund të bëhet përmes (1) platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë”, ka deklaruar Elezi.

Elezi ka treguar se në momentin e regjistrimit, votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit.

“(1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës”.

Po ashtu, Elezi ka sqaruar se në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.

Sipas afateve të vendosura nga KQZ, votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 27 dhjetor 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025.

  • Shkrime të ngjashme

    Përfundon rinumërimi në Kaçanik – një kandidateje i hiqen 100 vota

    Kaçaniku është komuna e dytë e cila ka përfunduar procesin e rinumërimit të votave, një ditë pas Komunës së Dragashit. Bazuar në të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dallime të konsiderueshme janë vërejtur në mes numërimit të…

    Treni përplaset me autobusin në Hamburg, një i vdekur dhe dhjetë të plagosur

    Një përplasje midis një autobusi dhe një treni vrau një person dhe plagosi dhjetë të tjerë në zonën e portit të Hamburgut këtë të premte, tha shërbimi zjarrfikës për AFP. Të gjithë të plagosurit ishin brenda autobusit, përveç burrit që…