• 26 Nëntor 2025 22:11

Shkon në 36 numri i të vdekurve nga zjarri masiv në Hong Kong, mbi 270 ende të zhdukur

Nën 26, 2025

Një zjarr i fuqishëm në kompleksin e banesave Wang Fuk Court në rajonin Tai Po të Hong Kongut, ka shkaktuar të paktën 36 viktima dhe 279 persona të humbur.

Më shumë se 700 zjarrfikës dhe dhjetëra mjete zjarrfikëse po luftojnë ende, për të pasur nën kontroll flakët.

Zjarri është klasifikuar niveli pesë, kategoria më e lartë e emergjencës në Hong Kong.

Mijëra banorë janë evakuuar drejt strehimoreve të përkohshme. Zyrtarët konfirmuan vdekjen e zjarrfikësit Ho Wai-ho, i cilësuar nga autoritetet si “i përkushtuar dhe trim”.

Sekretari i Sigurisë Tang Ping-keung i shprehu ngushëllimet më të thella familjes së tij dhe kërkoi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Dëshmitarë në terren flasin për shpërthime, nxehtësi të përvëluese dhe tym të dendur që mbulon zonën. Banorë e studentë thonë se kanë parë ekipet mjekësore të marrin trupat e viktimave.

Një e moshuar tha se ndjehej e dëshpëruar, pasi shtëpia e saj nuk është e siguruar. Grupi i të rinjve nga Tai Po që po shpërndajnë batanije e ushqime e kritikuan qeverinë si “të paaftë”. Për shkak të tragjedisë, një sërë partish politike pezulluan fushatat dhe disa shkolla do të mbeten të mbyllura.

Zjarret në ndërtesat e larta në Hong Kong shpesh përhapen shpejt për shkak të densitetit të madh të banesave dhe sistemit kompleks të ndërtesave të vjetra.