Pjetër Shala ka bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Speciales kundër vendimit të Apelit, i cili ia uli dënimin nga 18 në 13 vjet burgim pasi shkalla e parë e kishte dënuar për krime lufte. Në kërkesën e Shalës, kërkohet rrëzimi i vendimit mbi dënimin për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, si dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Si alternativë, Shala kërkon që të korrigjohen shkeljet e pretenduara procedurale në marrjen dhe pranimin e provave si dhe në përcaktimin e dënimit ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sa i përket aspektit kronologjik, Apeli konfirmoi dënimet ndaj Shalës për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturë dhe vrasje.
Në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të cilën e kishte dorëzuar më 14 tetor 2025 e që u bë publike së fundi, mbrojtja thotë se gjykimi ndaj Shalës filloi 24 vjet pas ngjarjeve të përshkruara në aktakuzë dhe kjo kohë e kaluar kaq shumë, prek në thelb përcaktimin e saktë të përgjegjësisë penale si dhe cenon integritetin gjyqësor.
Aty thuhet që dëshmitarët që mund të kishin dhënë dëshmi shfajësuese kanë vdekur prej kohësh ose ata që janë gjallë janë subjekt i dobësimit të pashmangshëm të kujtesës e cila është proces që ndodhë me kalimin e kohës.
Dhoma e pretenduar e ndalimit, sipas mbrojtjes, është shembur dhe askush s’mund të deklarojë me siguri se çfarë ndodhi brenda atyre mureve apo se çfarë mund të shihej nga dritaret e saj.
Rrjedhimisht, mbrojtja thotë se nuk ishte në gjendje që të merrte në pyetje individë që supozohet se kanë qenë të pranishëm ose të siguronte materiale që mund të kundërshtonin versionin e Prokurorisë.
Sipas mbrojtjes, asnjë udhëzim gjyqësor, vendim provash ose garanci procedurale nuk mund të korrigjojë plotësisht dëmin e shkaktuar nga humbja e kujtesës, humbja e provave materiale dhe humbja e dëshmitarëve kyç.
Mbrojtja thotë se drejtësia proceduale është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme me kalimin e kohës dhe se ata janë detyruar që të përballen me pretendime të mbështetura në kujtime të dobëta dhe të patestuara apo edhe të riformësuara nga vitet.
Shpesh këto pretendime, sipas mbrojtjes, janë transmetuar nga babai te i biri, nga bashkëshorti te bashkëshortja, nga miku te miku e nga shoku te shoku, para se më në fund të merrnin formë në deklaratat e dëshmitarëve të dorëzuara mbrojtjes.
Mbrojtja përmend edhe humbjen e dëshmitarëve potencialë duke përfshirë edhe Ruzhdi Saramatin- një figurë kyçe në Kukës në vitin 1999 — kujtesa e të cilit, për shkak të kalimit të kohës, sipas mbrojtjes ka humbur përfundimisht.
Baza e dytë e kërkesës së Shalës është kundërshtimi për pranimin dhe mbështetjen në deklarata inkriminuese që vetë ai i kishe dhënë më herët konkretisht në vitet 2005, 2007, 2016 dhe 2019.
Pra, sipas mbrojtjes, Shala u mor në pyetje si i dyshuar dhe pa konsultimin ose praninë e një avokati, raporton KFVA.
“Deklaratat vetë-inkriminuese u dhanë gjatë intervistave me Prokurorinë e TPNJ-së në 2005 dhe 2007, para Policisë Federale të Belgjikës në 2016, dhe para Policisë Federale të Belgjikës dhe ZPS-së më 2019”, thuhet në dokument.
Sipas mbrojtjes, pranimi i këtyre dëshmive dhe mbështetja në to, ka shkelur të drejtat e Shalës për një gjykim të drejtë.
Mbrojtja thotë se edhe vetë Apeli pranoi se e drejta e Shalës për ndihmë juriidke ishte shkelur gjatë intervistës së vitit 2016 në Belgjikë, por kishte lejuar që këto deklarata të mbeteshin në dispozicion për shqyrtim.
“Mungesa e referencave të drejtpërdrejta ndaj tyre në arsyetimin e gjetjeve inkriminuese nuk do të thotë se deklaratat nuk patën ndikim në vlerësimin ose procesin e vendimmarrjes. Të sugjerosh të kundërtën do të ishte injorim i pasojave ligjore dhe praktike të pranimit të tyre në prova dhe deklarimit të qartë se ato ishin të disponueshme për t’u marrë në konsideratë”, thuhet në dokument.
Mbrojtja thotë se pranimi dhe marrja në konsideratë dhe/ose mbështetja në deklaratat vetë-inkriminuese të marra në mënyrë të paligjshme përbën një shkelje flagrante të së drejtës së Shalës për gjykim të drejtë.
Sipas mbrojtjes, mjeti i vetëm i përshtatshëm juridik është anulimi i dënimeve dhe urdhërimi i rigjykimit, në të cilin të gjitha deklaratat vetë-inkriminuese të marra në shkelje të të drejtave të Shalës të përjashtohen.
Mbrojtja thotë se edhe dënimi për ndalim arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar është jo i drejtë, pasi sipas tyre neni 14 i Ligjit për DHSK-në përmban një listë se çka është krim luftës në një konflikt jondërkombëtar, por nuk e përfshinë ndalimin arbitrar.
“Dënimet e vendosura mbi bazën e përgjegjësisë për PBB (JCE) dhe krimit të ndalimit arbitrar në NIAC duhet të anulohen”, thuhet në kërkesë.
Sipas mbrojtjes, u bë gabim ligjor duke e dënuar Shalën mbi bazën e një akuze të mangët e cila nuk ofronte të dhëna të mjaftueshme as për viktimat e pretenduara në këtë çështje. Ky gabim i trupit gjykues ishte pranuar edhe nga Apeli.
“Kjo mungesë specifikimi ia mohoi mbrojtjes njoftimin efektiv dhe mundësinë e sinqertë për të hetuar dhe kundërshtuar akuzat, në shkelje të Nenit 6 të KEDNJ-së dhe Nenit 30 të Kushtetutës së Kosovës. Megjithëse rasti kishte shtrirje të kufizuar dhe Prokuroria i dinte emrat përkatës, Aktakuza thjesht i referohej “ushtarëve, policëve dhe rojtarëve të paidentifikuar të UÇK-së” dhe i linte viktimat të paemërta ose të përshkruara në mënyrë të paqartë, gjë që nuk përmbushte kërkesat minimale të parashtruara në jurisprudencën ndërkombëtare. Në vend se të rregullonte njoftimin e pamjaftueshëm, Paneli i Gjykimit e zgjeroi në mënyrë të papranueshme çështjen e Prokurorisë duke i konsideruar Kryeziun dhe Limajn si anëtarë të NPB-së”, thuhet në kërkesë.
Tutje, thuhet se edhe pse aktakuza e ngarkonte Shalën për ndalim arbitrar, trajtim çnjerëzor dhe torturë të nëntë individëve, trupi gjykues vendosi dënime për ndalim arbitrar dhe torturë në lidhje me tetëmbëdhjetë individë.
