• 26 Nëntor 2025 16:36

Paralajmërim për reshje bore, Ministria e Infrastrukturës e gatshme për t’i mirëmbajtur të gjitha rrugët

Nën 26, 2025

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se sipas parashikimeve meteorologjike, ditëve në vijim pritet të ketë reshje bore në disa zona të Kosovës.

Ai theksoi se institucionet përgjegjëse janë të përgatitura për t’i mirëmbajtur të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale të hapura dhe të qarkullueshme.

“Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë ditëve në vijim pritet që në disa zona të Kosovës të ketë reshje bore. Ju njoftoj se jemi të përgatitur që të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale të jenë të mirëmbajtura dhe të qarkullueshme”, ka shkruar Durmishi.

Durmishi u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të kushteve të vështiruara atmosferike që mund të paraqiten.

“Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe udhëtim të sigurt!”, përfundon njoftimi i tij.

Ndryshe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se e mërkura do të karakterizohet nga ndikimi i fushave të presionit në rënie, të cilat do të favorizojnë zhvillimin e vranësirave të dendura në gjithë vendin.

Parashihet mot kryesisht i vranët, me mundësi për riga të dobëta dhe lokale shiu.

IHMK bën të ditur se temperaturat pritet të jenë të qëndrueshme, me minimale nga -1°C deri në 7°C dhe maksimale që do të arrijnë deri në 11°C, duke shënuar vlerat më të larta termike të javës.