• 26 Nëntor 2025 12:04

Ishulli bëhet gati për vetëmbrojtje, Kina përshpejton përgatitjet për luftë kundër Tajvanit

Nën 26, 2025

Kina po “përshpejton përgatitjet ushtarake” me qëllim marrjen e kontrollit të Tajvanit me forcë. Këtë e konfirmoi presidenti i ishullit, William Lai, në një konferencë për shtyp, ku shpjegoi se forcat e armatosura të Taipeit synojnë të “arrijnë një nivel të lartë gatishmërie” për një operacion të mundshëm ushtarak kinez deri në vitin 2027.

Ai njoftoi se Tajvani do të paraqesë një buxhet shtesë të mbrojtjes në vlerë prej 40 miliardë dollarësh për t’u mbrojtur përballë kërcënimit në rritje.

“Autoritetet e Pekinit kanë vendosur një qëllim për të përfunduar ‘ribashkimin e armatosur të Tajvanit ‘ deri në vitin 2027, duke përshpejtuar përgatitjet ushtarake për agresion kundër Tajvanit dhe duke përshkallëzuar vazhdimisht ushtrimet dhe inkursionet në zonat gri rreth ishullit, në një përpjekje për të ‘detyruar ribashkimin me mjete ushtarake’ dhe ‘të detyrojnë dorëzimin me forcë’, duke aneksuar tokën tonë. Përtej forcës ushtarake, Kina po intensifikon luftën ligjore, luftën psikologjike dhe luftën e opinionit publik, duke synuar të fshijë sovranitetin e Tajvanit në nivel ndërkombëtar”, u shpreh presidenti i Tajvanit William Lai.

Presidenti i Tajvanit njoftoi dhe këtë masë si përgatitje për luftë.

“Në përgjigje të një situate të paparë dhe të rëndë, ekipi i sigurisë kombëtare ka organizuar dy plane të mëdha veprimi për të adresuar kërcënimet urgjente të sigurisë kombëtare dhe për të mbrojtur plotësisht Tajvanin demokratik. Arritja e një niveli të lartë gatishmërie luftarake për forcat e përbashkëta të ushtrisë kombëtare para vitit 2027 për të penguar në mënyrë efektive kërcënimet nga Kina. Qëllimi i dytë është ndërtimi i mëtejshëm i një aftësie mbrojtëse shumë elastike dhe gjithëpërfshirëse deri në vitin 2033”, tha presidenti i Tajvanit William Lai.

Kina ka njoftuar se është gati të “shtypë çdo ndërhyrje të huaj” në çështjet që lidhen me Tajvanin, pasi Japonia njoftoi qëllimin e saj për të vendosur raketa në ishullin fqinj Yonaguni. “Ne kemi vullnet të fortë, vendosmëri të fortë dhe aftësi të forta për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin tonë kombëtar”, tha një zëdhënës I qeverisë kineze.