Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Në fjalën hyrëse, Kurti tha se secila grua që ndjen frikë gjatë natës, secili fëmijë që ndjenë britma në vend të qetësisë, është alarm për të gjithë dhe se ky alarm nuk pret. Ai shtoi se shteti ka detyrim të mbrojë, të garantojë siguri dhe drejtësi, sikurse edhe që shoqëria ka detyrimin të mos heshtë.
“Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen mbi trauma të cilat nuk janë shëruar, as mbi një kulturë e cila e relativizon dhunën. Atë mund ta ndërtojmë vetëm mbi shërimin, mirëkuptimin dhe një kulturë e cila e refuzon dhunën dhe e vendos dinjitetin e njeriut në qendër. Dhuna në familje nuk justifikohet nga asgjë, askund, asnjëherë, as nga ngarkesa a stresi, e as nga ndonjë traditë a zakon”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se krahas ligjit, duhet guximi për të raportuar.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka punuar për t’i fuqizuar mekanizmat e mbrojtjes dhe drejtësisë.
“…emi arritur që Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022–2026 ta kemi me 94.5% të aktiviteteve të realizuara ose në zbatim.”
Në këtë drejtim, ai përmendi lansimin dhe zbatimin e Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, duke standardizuar procedurat për mbrojtje dhe dinjitet; ofrimin e programit psiko-sociale për trajtimin e kryerësve të dhunës; ndihmën juridike falas për viktimat, pa asnjë kusht ekonomik – në fushën civile: për 671 qytetarë, prej tyre 588 gra, dhe në fushën penale: 310 qytetarë, prej tyre 187 gra.
Pastaj, miratimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, që i lehtëson pasojat dhe barrën financiare për rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave; lansimin e masës për punësimin e grave viktima të dhunës, për shkak se punësimi i riintegron ato dhe rithemelon dinjitetin e tyre; ndarjen e 7.3 milionë euro për strehimoret dhe OJQ-të sociale në periudhën 2021–2025, si dhe zgjerimin e databazës nacionale, duke integruar module të reja dhe duke rritur në nëntë numrin e institucioneve që evidentojnë rastet e dhunës.
Kurti tha lufta kundër dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm çështje e grave dhe se para së gjithash eduhet t’i emancipojmë burrat, djemtë e rinj.
“ Është çështje e mbarë shoqërisë, e Republikës, e së bashku mund, duhet dhe do të ndërtojmë një Republikë, ku drejtësia triumfon e pabarazia bie. Do ta bëjmë këtë shoqëri më humane, më të barabartë dhe më të drejtë bashkë”, tha ai.
