• 25 Nëntor 2025 15:44

Ish anëtarja e VV’së, zbërthen në detaje strategjinë e Albin Kurtit

Nën 25, 2025

Ish-anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlera Gjakova, ka folur për krizën politikë në vend dhe zgjedhjet e jashtëzkonshme në vend që do të mbahen në dhjetor, e cila tha se zgjatja e krizës politike në Kosovë nuk është gabim i Kurtit, por mjet i tij, përcjell Gazeta KFVA.

Gjakova që edhe ishte kandidate për deputete në listën e Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2019 dhe mbesa e Konsullit Gjeneral të Kosovës në Nju Jork, Blerim Rekës, i ka dërguar një mesazh autorit të emisionit ‘Zonë e Lirë’ në MCN TV të premten.

“Më thotë: Çani të lutem, kisha një mesazh, të thuash Kurti dështoi është versioni i thjesht i ngjarjes. Por, në fakt dështimi i tij është i dizajnuar. Ai nuk dështoi rastësisht, ai dështoi sepse kështu deshi – kjo është strategjia. Kur një kryeministër lë vendin pa qeverisje funksionale për nëntë muaj, pa marrëveshje të brendshme dhe pa koordinim institucional nuk është paaftësi, është përgatitje e terrenit për një formë të re të konsolidimit të pushtetit. Vakumi i zgjatur nuk është gabim, është mjet. Sepse vakumi krijon panik, paniku krijon konfunzion dhe varësia krijon autoritet absolut. Dhe, këtu vjen thelbi filozofik: liderët që ndërtojnë pushtetin mbi krizën nuk qeverisin kohën, ata qeverisin ankthin”, i shkroi Gjakova, Çanit.

Tutje sipas saj qytetari nuk voton më për program, por për një lider.

“Qytetari nuk voton më për program, voton për stabilitetin imagjinar që vetëm ai pretendon se mund ta sjellë. Për këtë arsye, zgjedhjet e ardhshme nuk janë thjesht procedurë demokratike, janë instrument legjitimimi”, shkruan Gjakova. “Çdo krizë e zgjatur e rrit forcën e tij negociuese, pra të Kurtit. Pra, pyetja nuk është pse dështoi Kurti, pyetja është a ishte ky dështim mënyra më e rafinuar për të fituar më shumë se një mandat qeveritar për të hyrë në logjikën e pushtetit absolut”, shkruan Gjakova ndër të tjera.