Avokati Prosper: Presidenti Thaçi dhe të tjerët do të jenë të lirë

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Pierre Richard Prosper, ka deklaruar se nëse Hashim Thaçi dhe të tjerët shpallen fajtorë, kjo do të ishte një vlerësim i padrejtë i tërë historisë.

Prosper theksoi se të dhënat historike, përfshirë ato nga NATO dhe kujtimet e zyrtarëve, janë krejt të kundërta me përfundimin që mund të nxirret ndaj të akuzuarve.

“Mendoj se nëse ata shpallen fajtorë, mendoj se është një keqkuptim i qartë dhe vlerësim i padrejtë jo vetëm për të vërtetën, por për gjithë historinë. Mendoj se jo vetëm historia por të dhënat historike brenda NATO-s dhe kujtimet e zyrtarëve përgjatë zinxhirit komandues si dhe të dhënat historike të të gjitha qeverive janë krejt të kundërta me një përfundim të tillë”, deklaroi Prosper në Klan Kosova.

Ai theksoi se gjatë pesë viteve të fundit, ka pasur një keqinterpretim dhe ndryshim të historisë, ndërsa tani, me përfundimin e dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës, bota ka mundësi të shohë realitetin.

Prosper beson se prova të sakta historike do të nxjerrin në pah të vërtetën dhe, sipas tij, ky proces do të përfundojë me lirimin e Thaçit dhe të tjerëve.

Ai shtoi se ka besim se gjyqtarët do të shohin informacionet dhe provat dhe do të arrijnë në përfundimin e duhur.

“Kemi besim se gjyqtarët tani do të shohin informacionet dhe provat për ta kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe si ka qenë situata. Por në fund të ditës, kemi triumfuar duke regjistruar të dhëna të sakta historike. Tani u mbetet në dorë të gjyqtarëve, mirëpo mendoj se nëse e shohin të vërtetën ashtu siç është, presidenti Thaçi dhe të tjerët do të jenë burra të lirë”, u shpreh ai mes tjerash.

Prosper theksoi se gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Hashim Thaçi nuk ka pasur komandë dhe kontroll të drejtpërdrejtë mbi pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës ka përfunduar dhe tani mbetet faza e fjalëve përfundimtare, që Prosper e cilësoi si një detyrë “masive”.

Prosper ndër tjerash tha se Prokuroria, në vend që të dëshmojë se çfarë ka ndodhur, është mbështetur në libra e lajme.

“Në vend që të dëshmojë se çfarë ka ndodhur, kanë vendosur të mbështeten në libra, lajme, shkrime, shkresa, pra ka me bollëk të tilla gjëra në kuadër të provave të cilat duhet t’i rishikojmë. Duhet të sigurohemi që ta ballafaqojmë atë dosje. Sapo të përfundojë ky proces më pas do t’i kemi fjalët me gojë, argumentet tona në fillim të vitit të ardhshëm”, theksoi Prosper.

Ai tha se argumentet do të prezantohen nga avokati.

Procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës në rastin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, tashmë ka përfunduar. E avokati i ish-presidentit të Kosovës, Pierre Richard Prosper, tha se do të donte të kishte në listë edhe persona tjerë, por që disa nga ta tashmë kanë vdekur.

Në mesin e tyre, ai thotë se ish-Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madeleine Albright, do të kishte qenë një dëshmitare fantastike.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…