• Sat. Nov 22nd, 2025

Partitë politike pa koalicione në garë zgjedhore

Nov 22, 2025

Pas caktimit të datës së zgjedhjeve partitë politike kanë filluar mobilizimin e tyre për të hyrë në garë. Deri më tash asnjë subjekt politik nuk preferon që të ketë koalicion parazgjedhor.

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, fajëson partitë e tjera parlamentare që vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, thotë se nuk do të kenë koalicion paraprak.

“Natyrisht se do të bëhemi gati për zgjedhje dhe besoj se do të dalim fitues të padiskutueshëm. Nuk kemi diskutuar për koalicion. Besoj se tash e tutje hapen këto tema. Por, LVV-ja do të garojë ashtu siq e do qytetari, pra koalicion me qytetarin”, ka thënë Abrashi.

Ndërsa, PDK ka kërkuar prej kohësh zgjedhje të jashtëzakonshme duke e fajësuar për bllokadë institucionale LVV-në.
Deputeti PDK-së, Rashit Qalaj, tha për RTV21 se janë të gatshëm për zgjedhje, por pa koalicion parazgjedhor.

“Ka muaj që ne jemi duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje për shkak se vendi ka qenë në bllokadë. Ne do të shkojmë në zgjedhje e vetme si PDK dhe me qëllimin që ti fitojmë zgjedhjet”.

Në LDK thanë se pas shpalljes së datës së zgjedhjeve kanë filluar diskutimet me akterë të rëndësishëm të fushave të ndryshme për zgjerimin e bashkëpunimeve. Por, deputeti i këtij subjekti politik, Krenar Xhaferi, thotë se kjo nuk nënkupton se LDK do të hyjë në koalicion parazgjedhor me ndonjë subjekt politik.

“LDK-ja do të del jashtëzakonisht mirë në këtë proces zgjedhor. LDK-ja asnjëherë nuk ka hyrë nën siglen e koalicioneve në zgjedhje, por hynë me siglen e vet LDK-në. Ne jemi të hapur për bashkëpunimet me partitë politike”, deklaroi Xhaferi.

Koalicion parazgjedhor nuk preferojnë as në AAK. Deputetja e këtij subjekti politik, Time Kadrijaj, tha për RTV21 se janë të përgatitur për zgjedhje.

“Kemi thënë se ne do të garojmë të vetëm në zgjedhje. AAK-ja nuk do të ketë koalicione parazgjedhore. Jemi të përgatitur për zgjedhje sepse nuk e kemi ndalur fashtën e zgjedhjeve. Kish qenë mirë që të formohet një Qeveri pa LVV-në për shkak të disa dështimeve që kanë pasur brenda këtyre pesë viteve të qeverisjes”, tha Kadrijaj.

Presidentja, Vjosa Osmani, u ka kërkuar partive politike garë të drejtë dhe demokratike duke thënë se edhe gjuha ndërpartiake që përdoret në duhet të jetë brenda suazave të normales.