Kina të premten e çoi në Kombet e Bashkuara mosmarrëveshjen e saj me Tokion lidhur me komentet e fundit të kryeministres japoneze Sanae Taikachi mbi Tajvanin, ndërsa tensionet midis fqinjëve të Azisë Lindore u thelluan dhe lidhjet ranë në nivelin më të ulët që nga viti 2023.
“Nëse Japonia guxon të përpiqet të ndërhyjë me armë, ky do të ishte një akt agresioni”, shkroi përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Fu Cong, në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të këtij organi global, Antonio Guterres, duke iu referuar ngushticës që ndan Kinën kontinentale nga Tajvani vetëqeverisës, për të cilin Pekini këmbëngul se i përket Kinës.
Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes me forcë të Tajvanit.
Bëhet e ditur se grindja diplomatike filloi në fillim të nëntorit kur Taikachi, e cila mori detyrën vetëm në tetor, bëri vërejtje se si do t’i përgjigjej Japonia një sulmi hipotetik kinez ndaj Tajvanit.
Këto vërejtje e zemëruan Pekinin, i cili ka kërkuar tërheqje nga deklaratat, megjithëse kryeministrja japoneze nuk e ka bërë ende një të tillë.
Mosmarrëveshja tani është përshkallëzuar me shpejtësi në një luftë tregtare që përfshin bizneset nga të dyja palët dhe ka thelluar tensionet e sigurisë mbi një territor të kontestuar që ka qenë prej kohësh një pikë e nxehtë për të dy vendet.
Ja çfarë dihet deri më tani:
Çfarë tha kryeministrja japoneze për Tajvanin?
Ndërsa fliste në parlament më 7 nëntor, Taikachi, një mbështetëse e Tajvanit prej kohësh, tha se një bllokadë detare kineze ose veprime të tjera kundër Tajvanit mund të shkaktonin një përgjigje ushtarake japoneze.
Taikachi dukej se shkoi disa hapa më tej se paraardhësit e saj, të cilët vetëm në të kaluarën kishin shprehur shqetësim në lidhje me kërcënimin kinez ndaj Tajvanit, por nuk kishin përmendur kurrë një përgjigje.
“Nëse përfshin përdorimin e anijeve luftarake dhe veprimeve ushtarake, kjo mund të shndërrohet në një situatë kërcënuese për mbijetesën”, i tha Taikachi parlamentit, duke iu përgjigjur pyetjeve të një politikani të opozitës në seancën e saj të parë parlamentare.
Kjo deklaratë shkaktoi menjëherë protesta nga ministritë e jashtme dhe të mbrojtjes të Kinës, të cilat kërkuan tërheqje nga deklaratat.
Konsulli i përgjithshëm i Kinës në Osaka, Xue Jian, një ditë më pas, kritikoi komentet dhe duket se bëri kërcënime në një postim tani të fshirë në X, duke thënë: “Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse ta presim atë qafë që na ka sulmuar pa hezitim.”
Ky postim nga Xue shkaktoi gjithashtu zemërim në Japoni dhe disa zyrtarë filluan të bënin thirrje për dëbimin e diplomatit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara, protestoi ndaj Pekinit për mesazhin e Xue, duke thënë se ishte “jashtëzakonisht i papërshtatshëm”, ndërsa i kërkoi Kinës të jepte shpjegime.
Ministria e Jashtme e Japonisë kërkoi gjithashtu që postimi të fshihej.
Ndërkohë, zyrtarët kinezë i mbrojtën komentet duke i konsideruar si të ardhura nga një këndvështrim personal.
Më 14 nëntor, Ministria e Jashtme e Kinës thirri ambasadorin japonez dhe paralajmëroi për një “disfatë shkatërruese” nëse Japonia do të ndërhynte në punët e Tajvanit.
Të nesërmen, Ministria e Jashtme e Japonisë thirri gjithashtu ambasadorin kinez për t’u ankuar për postin e konsullit.
Edhe pse Taikachi i tha parlamentit tre ditë pas deklaratës së saj se do të shmangte të fliste për skenarë specifikë në të ardhmen, ajo ka refuzuar të tërheqë komentet e saj.
Si janë rritur tensionet që atëherë?
Çështja është përkeqësuar në një lloj lufte tregtare.
Më 14 nëntor, Kina lëshoi një këshillë ndalimi udhëtimesh për në Japoni, një përpjekje e dukshme për të synuar sektorin e turizmit të vendit, i cili mirëpriti rreth 7.5 milionë turistë kinezë midis janarit dhe shtatorit të këtij viti.
Më 15 nëntor, tre linja ajrore kineze ofruan rimbursime ose ndërrime falas për fluturimet e planifikuara në itineraret me destinacion Japoninë.
Ministria kineze e Arsimit gjithashtu sulmoi sektorin e arsimit në Japoni, duke i paralajmëruar studentët kinezë atje ose ata që planifikojnë të studiojnë në Japoni për krimet e fundit kundër kinezëve.
Raportohet se si Kina ashtu edhe Japonia kanë regjistruar sulme kundër shtetasve të njëra-tjetrës në muajt e fundit që kanë ngjallur frikën e ksenofobisë, por nuk është e qartë nëse sulmet janë të lidhura.
Tensionet po rriten gjithashtu rreth mosmarrëveshjeve territoriale.
Të dielën e kaluar, roja bregdetare kineze njoftoi se po patrullonte zona në Detin e Kinës Lindore, në ujërat përreth një grupi ishujsh të pabanuar që të dy vendet i pretendojnë.
Japonia i quan ishujt Ishujt Senkaku, ndërsa Pekini i quan Ishujt Diaoyu.
Japonia, në përgjigje, dënoi “shkeljen” e shkurtër të ujërave territoriale japoneze nga një flotë prej katër anijesh të rojes bregdetare kineze.
Ndryshe, gjatë javës së fundit autoritetet kineze kanë pezulluar shfaqjen e të paktën dy filmave japonezë dhe kanë ndaluar ushqimet e detit japoneze.
