Nga Prokuroria Speciale kanë reaguar lidhur me deklaratën e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqit, i cili tha se prapa shkarkimit të Besim Kelmendit si U.D i Kryeprokurorit të Shtetit, qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Nga kjo Prokurori kanë mohuar se Isufaj qëndron prapa kësaj, duke thënë se çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial, shkruan KFVA.
:Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës informon opinionin publik se pretendimet për një të ashtuquajtur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Speciales në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë të pasakta, pasi PSRK-ja dhe as Kryeprokurori, nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së. Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Isufaj “mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”.
Ndryshe, anëtari i Këshillit Prokurorial, Visar Krasniqi, ka thënë se shkarkimi i Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të deyrës së Kryeprokurorit të Shtetit bazohet në energjinë e qartë të një puçi institucional.
“Propozimi për shkakrimin e zotit Kelmendi bazohet në një energji të qartë të një puçi institucional, duke tentuar të vendoset përfundimist mbi udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit në mënyrë të jashtëligjshme”, tha ai.
Krasniqi tha se prapa gjithë kësaj qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.
“Në njëfarë forme edhe ushtrues i detyrës e tha në takim, mbrapa të gjithë këtij planifikim dhe mbrapa të gjithë këtij organizmi qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, zoti Blerim Isufaj”, tha ai.
Besim Kelmendi, të mërkurën, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka konfirmuar se është thirrur nga Prokuroria Speciale për intervistim si dëshmitar për Masakrën e Reçakut.
Para gazetarëve, Kelmendi tha se kurrë s’ka qenë në fshatin Reçak dhe se s’ka qenë gjyqtar e as hetues para vitit 2000 kur dhe është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
“Më vjen mirë që në Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të jap një deklaratë e cila konfirmon atë që po them para juve, dhe atë që duhet ta dijë secili qytetarë i Republikës së Kosovës. Kurrë në jetë nuk kam qenë në fshatin Reçak. Kurrë në jetën time s’kam qenë as gjyqtar, as prokuror as hetues, para vitit 2001 kur jam zgjedh për herë të parë gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. E kisha fatin të isha bashkë me dy gjyqtarë ndërkombëtar dhe një prokuror ndërkombëtar në rastin e Reçakut ku është akuzuar një pjesëmarrës në kryerjen e vrasjeve të Reçakut dhe i cili falë kontributit tim është shpallur fajtor dhe sot kemi aktgjykim të formës së prerë për këtë të akuzuar, i cili aktgjykim ka shërby edhe si provë në gjykimin kundër Millosheviqit, i cili në atë gjykim pretendon dhe tenton që t’ia humb vlerën këtij aktgjykimi”, tha mes tjerash Kelmendi.
