• Fri. Nov 21st, 2025

U arrestuan në një operacion të madh – detaje nga aktakuza për tre pejanët që dëmtuan viktimën për afër gjysmë milioni euro

Nov 21, 2025

Tre të arrestuarit mbi një vit më parë në Pejë, Kastriot Kelmendi- “Luta”, Asdren Muhaxheri dhe Dardan Manaj “Manilla”, tash e kanë në Gjyq një aktakuzë të deponuar nga Prokurori Speciale. Akuzohen për mashtrim, detyrim dhe kanosje ndaj viktimës E.N., duke përfituar rreth 485 mijë euro nëpërmjet marrëveshjes së rreme për banesa dhe presionit të drejtpërdrejtë.

Me 15 maj të vitit 2024, Policia e Kosovës realizoi një nga operacionet më të mëdha të atij viti në qytetin e Pejës. Aksioni u zhvillua në orët e paradites, në disa lokacione të ndryshme, pas një periudhe të gjatë hetimesh që përfshinin dyshime për detyrim, presion financiar dhe veprimtari të strukturuar kriminale. Në pranga ranë tre persona: Kastriot Kelmendi, i njohur si “Luta”, Asdren Muhaxheri dhe Dardan Manaj.

Operacioni u cilësua i ndjeshëm, jo vetëm për shkak të natyrës së veprave të dyshuara, por edhe sepse disa nga të arrestuarit ishin emra të dëgjueshëm në Pejë. Mediat raportuan se Muhaxheri ishte parë shpesh në shoqëri me zyrtarë policorë dhe figura të tjera me ndikim, ndërsa Kelmendi njihej për rrjetet e tij lokale dhe lëvizjet financiare në transaksione të dyshimta. Të tre u ndaluan për 48 orë atëherë, ndërsa Prokuroria Speciale paralajmëroi se rasti kishte dimensione më të gjera se sa ato që u bënë publike.

Skema që çoi në arrestime: banesa të premtuara, para të marra, marrëveshje që nuk ekzistuan kurrë

Mbi një vit nga aksioni i majit 2024, Prokuroria Speciale ka finalizuar hetimet. Më 18 nëntor 2025, ajo ka dorëzuar aktakuzën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke zbuluar se rasti kishte elemente të qarta mashtrimi dhe presioni të organizuar.

Në qendër të rastit qëndron viktima E.N., nga i cili, sipas prokurorisë, të pandehurit kanë përfituar 485 mijë euro. Shuma është marrë gjatë viteve 2023–2024 nën pretekstin e një marrëveshjeje për blerjen e disa banesave që Kelmendi pretendonte t’i kishte në pronësi. Sipas aktakuzës, marrëveshja ka qenë plotësisht e rreme: banesat ose nuk ekzistonin, ose nuk ishin në pronësinë e “Lutës”, dhe pas marrjes së parave, shitja nuk është kryer asnjëherë.

Kelmendi akuzohet për “Mashtrim”, “Detyrim (tentativë)” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ai konsiderohet figura kryesore e skemës, personi që ka ndërtuar mashtrimin dhe ka përfituar shumicën e parave.

Roli i Muhaxherit dhe Manajt në skemën e presionit

Prokuroria ngre akuza serioze edhe ndaj Asdren Muhaxherit, i cili akuzohet për “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Lajmërim apo kallëzim të rremë”. Sipas dosjes, Muhaxheri ka bërë një kallëzim të rremë ndaj E.N., duke krijuar presion shtesë mbi të dhe duke e futur viktimën në një situatë pasigurie juridike.

Dardan Manaj, i njohur në Pejë me nofkën “Manilla”, është një figurë e njohur në qarqet kriminale dhe ka një histori të gjatë përballje me ligjin. Insajderi ka raportuar për disa incidente serioze ku Manaj është përfshirë drejtpërdrejt në sulme ndaj personave dhe autoriteteve, përdorim të armëve dhe lëndim të të tjerëve. Ai dhe djali i tij u patën arrestuar në disa raste, duke përfshirë edhe gjuajtje ndaj policisë, ndërsa më herët ka qenë i dënuar për tentim-vrasje dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Pavarësisht historikut penal, Manaj vazhdon të jetë një emër i përmendur shpesh në raportet e mediave për aktivitete kriminale në Pejë dhe rrethinë. Në këtë rast konkret, aktakuza e 2025-së e përfshin atë si pjesë të skemës së mashtrimit dhe kanosjes ndaj viktimës E.N., duke treguar rolin e tij të drejtpërdrejtë në presionin që ka ushtruar për të përfituar pasuri të paligjshme.

Në këtë rast ai akuzohet për “Detyrim”, pasi raportohet se ka përdorur kanosje të drejtpërdrejta për të ndikuar tek E.N. që të ndërmerrte veprime në dëm të pasurisë së tij. Prokuroria përshkruan Manajn si njeriun që ka realizuar presionin fizik dhe psikologjik ndaj viktimës.

Operacioni që nisi me arrestime të bujshme dhe kontrolle të sinkronizuara në Pejë, tani ka marrë formë të plotë në aktakuzën e dorëzuar në gjykatë. Tre të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në koordinim dhe se secili ka pasur rol të caktuar në skemën e mashtrimit dhe presionit financiar.

Me dorëzimin e aktakuzës, rasti pritet të kalojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor. Tani i mbetet gjykatës të vlerësojë provat e mbledhura, dëshmitë dhe mënyrën se si është organizuar skema që, sipas prokurorisë, i ka shkaktuar viktimës humbje prej gati gjysmë milioni euro.