Një aksident tragjik ka tronditur mëngjesin e së premtes pjesëmarrësit në Dubai Air Show, pasi një avion luftarak indian HAL Tejas u rrëzua gjatë një performancë dhe si pasojë humbi jetën piloti.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:10 me kohën lokale në Aeroportin Ndërkombëtar Al Maktoum, teksa piloti po përpiqej të kryente një manovër.
Pamjet dramatike të publikuara në rrjete sociale treguan avionin që humbi kontrollin dhe u përplas me tokën, duke krijuar një shpërthim të fuqishëm. Qindra vizitorë të pranishëm panë gjithçka me tronditje, ndërsa paniku u përhap dhe njerëzit, përfshirë shumë familje me fëmijë, tentuan të largoheshin me shpejtësi, përcjell KFVA.

Dëshmitarja Shahad Alnaqbi tha për mediat lokale se momenti i shpërthimit shkaktoi kaos, ndërsa një tjetër dëshmitar, Shajudheen Jabbar, tregoi se nga mënyra se si avioni u kthye në momentet e fundit, piloti duket se u përpoq të shmangte spektatorët.
Forcat e emergjencës, zjarrfikësit dhe ekipi i sigurisë së panairit reaguan menjëherë për të kontrolluar situatën. Forcat Ajrore Indiane konfirmuan në platformën X se piloti humbi jetën, duke theksuar se një hetim i plotë do të nisë për të zbuluar arsyet e aksidentit. Edhe Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe publikoi një deklaratë zyrtare ku shprehte ngushëllimet për humbjen tragjike.
Tejas është një avion luftarak i prodhuar në Indi nga Hindustan Aeronautics Limited dhe konsiderohet një element kyç i modernizimit të flotës ajrore indiane. Ky është aksidenti i dytë i njohur i modelit Tejas, pas një rrëzimi të mëparshëm gjatë një stërvitjeje në Indi në vitin 2024.
