Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata në Kosovë pas reshjeve të fundit paraqitet kryesisht e qetë, megjithëse në disa zona janë evidentuar vërshime të tokave bujqësore dhe depërtime të ujërave në shtëpi, kryesisht në podrume.
“Që nga fillimi i reshjeve, Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë kryer 76 intervenime në qytete dhe komuna të ndryshme, përfshirë Prishtinën, Fushë Kosovën, Ferizajin, Gjilanin, Vitin, Kllokotin, Podujevën, Mitrovicën, Lipjanin, Kamenicën, Novo Bërndin, Junikun, Ranillugin dhe Shtimen”, thuhet në njoftim.
AME shton se për shkak të situatës, janë evakuuar gjithsej 6 familje në komunat Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Gjilan.
“Pas vlerësimit të gjendjes në terren dhe rënies së intensitetit të reshjeve, situata konsiderohet e qetë dhe nën kontroll”, thuhet tutje në njoftim.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent thekson se mbetet në koordinim të vazhdueshëm me qendrat operative rajonale 112 dhe autoritetet lokale dhe qendrore për t’u përgjigjur çdo nevoje dhe kërkese emergjente. /KFVA/
