hpesh, paaftësia për të njohur njerëzit e afërt, tipike për sëmundjen e Alzheimerit, mund të jetë pasojë e dëmtimit të rrjeteve mbrojtëse që rrethojnë neuronet në tru, raporton ekipi kërkimor
Megjithatë, sipas studiuesve, ekzistojnë ilaçe që tashmë po testohen për terapinë e tumoreve dhe artritit, të cilat potencialisht mund t’i rikthejnë këto struktura dhe të ruajnë kujtesën. Këtë e tregon një eksperiment te minjtë i kryer nga Universiteti Virginia dhe Virginia Tech, shkruan revista shkencore “Alzheimer’s & Dementia”.
“Zbulimi i një ndryshimi strukturor që shpjegon humbjen specifike të kujtesës te Alzheimeri është jashtëzakonisht emocionues”, ka deklaruar koordinatori i studimit, Harald Sontheimer.
Sipas tij, bëhet fjalë për një objektiv krejtësisht të ri terapeutik dhe tashmë ekzistojnë disa ilaçe potenciale që ndikojnë në këto mekanizma.
Ekipi ka treguar më herët se në disa zona të trurit ekzistojnë struktura të quajtura rrjete perineuronale, të cilat krijojnë një matricë mbrojtëse rreth neuroneve, duke shërbyer si barrierë thelbësore që u mundëson qelizave nervore të komunikojnë si duhet dhe të formojnë kujtime të reja.
Duke u nisur nga kjo, studiuesit kanë supozuar se ndryshimet në këto rrjete mund të përbëjnë një pikë kritike në zhvillimin e Alzheimerit, transmeton KFVA.
Eksperimentet e reja te minjtë e konfirmojnë këtë: individët me rrjete perineuronale të dëmtuara në zonën CA2 të hipokampusit humbasin aftësinë për të mbajtur mend minj të tjerë (të ashtuquajturën “kujtesë sociale”), edhe pse vazhdojnë të krijojnë kujtime të reja për objektet në mjedisin e tyre.
Kjo pasqyron atë që shihet te njerëzit me Alzheimer, tek të cilët kujtesa sociale shpesh dëmtohet më herët sesa kujtesa për objektet, raporton ekipi shkencor.
Studiuesit më pas provuan të përdorin ilaçe të quajtura inhibitorë të metaloproteinazave të matricës (MMP), të cilat bllokojnë enzimat që shpërbëjnë proteinat e matricës jashtëqelizore, përfshirë edhe ato në rrjetet perineuronale.
Rezultatet tregojnë se minjtë që morën këta inhibitorë patën degradim shumë më të vogël të rrjeteve dhe ruajtën më mirë kujtesën sociale, pavarësisht pranisë së sëmundjes Alzheimer.
Para se kjo qasje të testohet te njerëzit, paralajmëron Sontheimer, nevojiten studime të tjera për sigurinë dhe efikasitetin.
Disa ekspertë të pavarur theksojnë se edhe pse zbulimi është premtues, rrugëtimi nga minjtë te njeriu është i gjatë dhe kërkon prova klinike të kontrolluara.
