Një anije spiune ruse drejtoi laserët drejt pilotëve të forcave ajrore britanike – Londra zyrtare vjen me mesazh për Putinin

Një anije spiune ruse ka përdorur laserë për herë të parë për të penguar pilotët e forcave ajrore britanike që gjurmojnë aktivitetin e saj pranë ujërave të Mbretërisë së Bashkuar, tha sekretari i mbrojtjes.

John Healey u tha gazetarëve se lëvizja “thellësisht e rrezikshme” nga Yantar po merret “jashtëzakonisht seriozisht” nga qeveria, shkruajnë mediat britanike, përcjell KFVA.

Ai shtoi se anija ishte në veri të Skocisë dhe kishte hyrë në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar për herë të dytë këtë vit gjatë disa javëve të fundit.

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të monitorojë anijen dhe kishte “opsione ushtarake të gatshme nëse Yantar ndryshon kurs”, shtoi ai.

“Mesazhi im për Rusinë dhe Putinin është ky: ne ju shohim. Ne e dimë se çfarë po bëni. Dhe nëse Yantar udhëton drejt jugut këtë javë, ne jemi gati”, shtoi ai.

Healey tha se incidenti me laserë ndodhi ndërsa Yantar po ndiqej nga një fregatë e Marinës Mbretërore dhe aeroplanë RAF Poseidon P-8 të vendosur për të “gjurmuar çdo lëvizje të anijes”.

Merret vesh se episodi ndodhi brenda dy javëve të fundit.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Downing Street, sekretari i mbrojtjes shtoi se kishte ndryshuar rregullat e angazhimit të Marinës Mbretërore në mënyrë që ajo të mund ta ndiqte më nga afër Yantar-in “kur është në ujërat tona më të gjera”.

Healey tha se anija, e cila hyri në shërbim në vitin 2015, ishte pjesë e Drejtorisë Kryesore të Rusisë për Kërkime në Det të Thellë (GUGI).

I pyetur për rreziqet që paraqesin lazerët, Healey u përgjigj: “Çdo gjë që pengon, prish ose vë në rrezik pilotët përgjegjës për aeroplanët ushtarakë britanikë është thellësisht e rrezikshme”.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…