Haliti: Dështimi i mandatimit të Konjufcës ishte i paralajmëruar

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar dështimin e seancës së sotme të Kuvendit, ku mandatarit të propozuar nga Vetëvendosja, Glauk Konjufca, nuk iu dha mbështetja për formimin e qeverisë. Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Haliti tha se Vetëvendosja ka dështuar të krijojë marrëveshje politike, duke lënë vendin për muaj të tërë pa qeveri funksionale.

Haliti vlerësoi se situata me Konjufcën është e njëjtë si me kandidatët e mëparshëm të kësaj partie.

“Mendoj që është e njëjta situatë si me Galukun, si me Albinin, sepse ata kanë të njëjtën politikë. Duhet të zbatojnë politikën e partisë së vet dhe besoj që nuk duhet të veprojnë pa marrëveshje,” u shpreh ai.

Ai theksoi se deputetët shpesh fokusohen në aspiratat për pushtet, duke anashkaluar interesat e qytetarëve.

“Ne shumë herë flasim për pushtet dhe harrojmë që deputeti është përfaqësues i popullit. Në radhë të parë duhet parë interesin e popullit dhe jo të pushtetit,” deklaroi Haliti.

Sipas tij, vendi ka humbur 10 muaj pa qeveri, ndërsa mosarritja e marrëveshjes nga Vetëvendosja për krijimin e shumicës është përgjegjësi e saj.

“Dhjetë muaj kanë ikur pa qeveri. VV-ja u përpoq të zëvendësonte Albinin me Glaukun, por mosarritja e marrëveshjes me dikë nga politika është e metë dhe do të thoja që është dështim i VV-së,” tha ai.

Haliti shtoi se ky rezultat ishte i pritshëm, pasi deklarimet e mëhershme e kishin paralajmëruar humbjen e votave për Konjufcën.

“Nuk është problem pse ndodhi kjo me Glaukun, sepse kjo ka qenë e ditur. Nëse politika e partive nuk krijon marrëveshje dhe nuk merren vesh, atëherë është vështirë të krijohet qeveria. Në këtë rast, beteja ka qenë për pushtet,” theksoi ai.

Në lidhje me rolin e presidentes në proces, Haliti tha se ajo ka vepruar sipas mandatit të saj kushtetues.

“Ajo nuk ka gabuar; ajo e ka për detyrë të veprojë në atë mënyrë,” përfundoi Haliti.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…