Me një kërkesë të përbashkët të mbrojtjes të cilës iu është bashkuar edhe Prokuroria, u kërkua që dosjet përfundimtare të dorëzohen më 30 janar 2026 ose 60 ditë pas mbylljes së procedurës së paraqitjes së provave.
Prokurori James Pace tha se kjo kërkesë e përbashkët është e arsyeshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Faktorë tjerë që dëshmojnë natyrën e arsyeshme të kërkesës së përbashkët janë; periudha kohore që mbulon aktakuzën; dhjetë pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit; mbi 400 incidente të pretenduara; dëshmi me mbi 250 dëshmitarë janë dëgjuar; mbi 5 mijë materiale janë pranuar në prova dhe vendime me mbi 300 pika të cilat janë pranuar për të cilat ende vendim nuk është marrë”, tha Prokurori.
Prokurori tha se dosjet përfundimtare të dorëzohen më 19 dhjetor 2025, është e pamundur.
Trupi gjykues pyeti se a ka ndonjë çështje që do të pengonte mbylljen e paraqitjes së provave në këtë rast rreth 4 dhjetorit 2025, si dhe u kërkua nga palët që të tregojnë nëse pranojnë që njoftimi për këtë gjë të bëhet me shkrim dhe jo në seancë.
Prokuroria s’e kundërshtoi që mbyllja e provave të bëhet me shkrim. Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq tha se nuk parashikojnë ndonjë mocion shtesë që do të pengonte mbylljen e çështjes.
As ekipet tjera mbrojtëse nuk patën kundërshtime që çështja të mbyllet me shkrim.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws tha se nuk janë kundër kërkesës së përbashkët të palëve.
Ndërsa për fjalët përfundimtare në këtë rast, u kërkua që të mbahen seancat në mars, eventualisht në prill të 2026-ës.
Fillimisht, prokurori tha se deklaratat përmbyllëse të bëhen jo më herët se 45 ditë nga dorëzimi i dosjeve përfundimtare. E Luka Mishetiq tha se do iu duhet një seancë e plotë për të bërë paraqitjet e tyre në deklaratën përmbyllëse.
Ndërsa, Prokuroria tha se i duhen rreth dy ditë për ta bërë një gjë të tillë.
