Mandatari i dytë për krijimin e Qeverisë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme për formimin e kabinetit të ri qeverisës. Dështimi i tij e çon automatikisht Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas Kushtetutës, presidentja Vjosa Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme, megjithatë nga Presidenca deri tani nuk ka asnjë qëndrim se kur do të shpallet data, shkruan KFVA.
Ndërkohë, partitë politike tashmë po i kërkojnë presidentes që të mos humbet kohë dhe të caktojë datën e zgjedhjeve sa më shpejt.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas dështimit të dytë të Vetëvendosjes për formimin e Qeverisë së re, tha se tashmë është e qartë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike,” tha Hamza.
Ai shtoi se shumica që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit “është treguar e paaftë të krijojë institucionet e reja, duke sjellë pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore”.
Sipas tij, rruga e vetme e përgjegjshme është shpallja e zgjedhjeve të reja.
“Presidentja duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur. Ka ardhur koha për një qeveri që punon,” theksoi ai, duke shtuar se qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës.
Edhe ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar nga Osmani caktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar në favor të zgjedhjeve sa më të shpejta. Nënkryetari i partisë, Alban Zogaj, tha se LDK është e përgatitur më shumë se kurrë.
Zogaj theksoi se 21 dhjetori është një opsion i pranueshëm për ta, ndërsa 28 dhjetorin e quajti datë të papërshtatshme për shkak të ndërrimit të moteve.
“Ne jemi gati për çdo datë. Strukturat e LDK-së janë super të përgatitura për një palë zgjedhje të reja,” tha Zogaj për RTV Dukagjinin.
Ai shtoi se matjet e brendshme të partisë tregojnë rritje të ndjeshme të mbështetjes dhe se LDK pret rezultate dukshëm më të mira në zgjedhjet e ardhshme.
Deri më tani, si datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve është përmendur 28 dhjetori.
